Politikë

VIZITA në Tiranë/ Komisionerja e BE-së, Marta Kos: Fond 1 miliard euro për vijimin e reformave

Shkruar nga Liberale

VIZITA në Tiranë/ Komisionerja e BE-së, Marta Kos: Fond 1 miliard

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Europian, Marta Kos, teksa zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë, në një intervistë për Top Channel, mes të tjerave tha se gjedhjet e 11 Majit tha ajo kanë rëndësi për ecurinë e mëtejshme deejt BE-së si dhe konfirmoi mbështetjen që Komisioni Europian do t’i japë SPAK.

“Shqipëria po ecën shumë mirë” vlerëson ajo. Edhe Tirana thotë komisioneria është përfituese nga fondi një miliard euro i Planit të Rritjes së BE dhe se me këto para do të inkurajohet zbatimi i reformave të nevojshme.

Zgjerimin e BE-s me vendet e Ballkanit perëndimor në kontekstin e ri gjeopolitik të luftës në Ukrainë, ajo e komenton si një zhvillim historik për ta bërë Evropën më të fortë.

Por, sipas saj mbyllja e kapitujve nga Shqipëria, nuk do të thotë automatikisht anëtarësim i plotë në BE.

Komisionere, shumë faleminderit për këtë intervistë, dhe nëse nuk gaboj, është intervista e parë që jepni që kur jeni në këtë pozicion.

Komisionerja Marta Kos: Shumë faleminderit! Vërtet, është e para, sepse i thashë vetes dhe ekipit tim se 100 ditët e para dua të punoj, dua të njihem me portofolin tim, kështu që po është hera e parë dhe jam veçanërisht e lumtur që po ndodh këtu në Tiranë.

Cila është ndjesia aktuale mes vendeve të BE-së në lidhje me zgjerimin e BE-së, duke marrë parasysh zhvillimet gjeopolitike me luftën në Ukrainë, për shembull, dhe Rusinë që ndërhyn në Ballkanin Perëndimor sa më shumë që mundet?

Komisionerja Marta Kos: Keni të drejtë. Zgjerimi sot është krejtësisht në një mjedis të ndryshëm nga ai që ishte pesë vjet më parë. Pra, gjeopolitika na ka bërë që kur flasim për zgjerimin, duhet të shohim tablonë e madhe dhe tabloja e madhe është se zgjerimi në të vërtetë është bashkimi i Evropës.

Kjo do të thotë që ta bëjmë Evropën jo vetëm më të madhe, por edhe më të fortë dhe ky zgjerim është prioriteti i Komisionit aktual. Është gjithashtu shumë në favor të shteteve anëtare, ndaj mendoj se kjo është mundësia historike që duhet ta shfrytëzojmë.

Pse është kaq e rëndësishme kjo? Ju e dini, në të kaluarën e kemi përdorur zgjerimin për të sjellë vendet që në fakt mund të kontribuojnë për paqen, lirinë, prosperitetin dhe stabilitetin në Evropë. Vendi im, Sllovenia, u integrua në BE pas rënies së Murit të Berlinit apo pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Në atë kohë ishte e pamundur për të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë dhe nuk ishte e mundur as për Shqipërinë, por tani është. Jo vetëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, por ju përmendët edhe Ukrainën dhe Moldavinë, dhe mendoj se kjo është vërtet ajo çka kemi sot, mundësia historike për ta bërë Evropën më të fortë, për ta bërë Evropën jo vetëm më të fortë në kuptimin që të kemi ekonomi më të fortë, por edhe sa i përket vlerave dhe demokracisë.

Komisionere, si po ecën Shqipëria me përgatitjet për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes së BE-së?

Komisionerja Marta Kos: Shqipëria, vendi juaj, po ecën shumë mirë, jo vetëm sa i përket Planit të Rritjes. Në Bruksel, rreth 1.000 persona po punojnë që vendi juaj të mund të bëhet anëtar i BE-së dhe kjo është diçka e madhe, jo vetëm në shërbimet e mia, që do të thotë se Shqipëria po kryen reformat dhe kërkesat tona në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Dhe ju e dini se pas ditës së sotme unë mund të shoh që kjo nuk është vetëm ajo çka po bën qeveria, por ky është vërtet një orientim pro-evropian që unë e ndiej në çdo hap të vizitës sime.

Jam takuar me shoqërinë civile, isha në Kolegjin e Evropës, jam takuar me gra të fuqishme nga fusha të ndryshme, jam takuar me përfaqësues të sistemit gjyqësor të Shqipërisë dhe të gjithë më kanë thënë se anëtarësimi në BE është prioriteti ynë.

Tani që t’i kthehemi pyetjes suaj në lidhje me Planin e Rritjes. Jam vërtet një grua me fat që ndodhem këtu në Tiranë – ndodhi që parlamenti juaj ratifikoi dy marrëveshje shumë të rëndësishme, të cilat do të na mundësojnë, mua dhe ekipit tim, të shpërndajmë para-financimin javën e ardhshme.

Pra, e gjithë paketa është 1 miliard Euro dhe Shqipëria mund t’i përdorë këto para.

Ju e dini se 1 miliard Euro janë shumë, janë 1.000 milionë, kështu që me këto para do t’ju inkurajojmë të bëni të gjitha reformat e nevojshme dhe deri tani, urime, Shqipëria po ecën shumë mirë. Kur them deri tani, nuk është ende fundi, e dini, kemi shumë për të bërë, ju duhet të bëni 20 reforma të rëndësishme këtë vit.

Kjo ka të bëjë me lirinë e medias, ka të bëjë me të drejtat e grave dhe shumë fusha të tjera të shtetit të së drejtës, dhe nga ana tjetër, edhe një lajm i mirë, jeni aq mirë saqë do të mund të hapim së shpejti dy grup-kapituj të rinj, të dytin dhe të tretin, dhe ndoshta deri në fund të vitit të ardhshëm do të mund të hapim gjithë grup-kapitujt dhe duke nisur nga viti i ardhshëm e në vazhdim vetëm do t’i mbyllim.

Progresi i deritanishëm i Shqipërisë në hapjen e kapitujve që përmendët me BE-në, a mund të japë shpresë që të gjithë kapitujt të mbyllen deri në vitin 2027, siç synon qeveria shqiptare dhe siç theksoi kryeministri gjatë takimit tuaj sot?

Komisionerja Marta Kos: Kjo varet shumë nga ju, nga qeveria juaj, nga parlamenti juaj. Deri tani keni arritur shumë, kështu që nuk kam dyshim se do të arrini edhe më shumë, por ky është një proces, ju e dini. Do të më pëlqente të thosha: “Ju premtoj”, por nuk mundem. Por mund t’ju premtoj se do të bëj gjithçka që është në dorën time dhe do të punoj natë e ditë që të mund ta përfundojmë procesin e negociatave. Dhe sot, kur fola me politikanë të ndryshëm, me shoqërinë civile, të gjithë më thanë se do të punojnë. Ndonjëherë – nga përvoja ime, meqë vij nga Sllovenia, dhe vendi im u bë anëtar i BE-së në vitin 2004 – reformat nuk janë të lehta, ju e dini.

Ndonjëherë i përmbys gjërat plotësisht për të nisur diçka të re. Dhe kjo është ajo që më pëlqen në këtë proces negociatash. Në fakt, është një proces transformues i të gjithë shoqërisë dhe tani shteti i së drejtës po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Kam dëgjuar nga njëri prej partnerëve me të cilin kam folur sot, se kjo ka të bëjë me ndryshimin e mendësisë për shtetin e së drejtës, si të luftosh korrupsionin, si të luftosh krimin e organizuar, kështu që gjithçka duhet bërë deri në fund të vitit 2027.

Kur them që do të përfundojmë negociatat, kjo nuk do të thotë se në këtë moment Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së, pasi kur të mbarojmë negociatat, atëherë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të vendosin – dhe procedurat janë të ndryshme në shtete të ndryshme –  do të vendosin se kur do të bëhet e mundur kjo.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH