Sot vendi ynë, Shqipëria zgjedh qeverinë e ardhshme. Këtë mëngjes në 11 maj prej orës 07:00, qytetarët shqiptarë u janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur të mandatuarit e tyre në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë për 4-vjeçarin e ardhshëm, si dhe forcën politike që do të qeverisë vendin.
Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje shqiptarëve që të dalin dhe të votojnë.
Teksa ka theksuar rëndësinë që ka vota në këto zgjedhje, ai thotë se shqiptarët kanë sot në dorë të ardhmen e tyre.
Rama: MIRËMËNGJES! Sot është Dita e Shqipërisë. Shqiptarët kanë në dorë të ardhmen e tyre. Votoni!
Theksojmë se 3.7 milionë qytetarë do të votojnë sot për të zgjedhur parlamentin e ri të Shqipërisë dhe forcën politike që do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme.
Në këto zgjedhje janë regjistruar 8 parti dhe 3 koalicione dhe në total janë në garë 2.046 kandidatë të cilët garojnë për 140 vendet e Kuvendit të Shqipërisë që do të zgjidhen në bazë të sistemit proporcional rajonal.
Në të gjithë vendin janë ngritur 5.225 qendra votimi dhe 93 qendra numërimi; ndërkohë që në njësinë nr. 10 në Tiranë dhe në Vorë aplikohet si projekt pilot votimi dhe numërimi elektronik.