
Në një fjalim të mbajtur në mbledhjen e grupit të PPE në Strasburg, Sali Berisha theksoi angazhimin e Partisë Demokratike për të pastruar Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni. Ai premtoi një politikë të tolerancës zero ndaj krimit, duke e quajtur këtë si rrugën e vetme për të shpëtuar vendin.
Berisha theksoi se euro në Shqipëri ka humbur vlerën për shkak të ndikimit të krimit të organizuar, duke theksuar se ka pasur një zhvlerësim prej 35% të euros kundrejt lekut. Ai përmendi gjithashtu rënien e eksporteve me 32% dhe humbjen e mijëra vendeve të punës, ndërsa mbi 1 milion shqiptarë janë larguar për shkak të varfërisë dhe mungesës së mundësive ekonomike.
Kreu i PD kërkoi një Komision të të Vërtetës për të zbardhur lidhjet mes krimit dhe politikës, duke i kërkuar partnerëve ndërkombëtarë të mbështesin këtë iniciativë. Ai shtoi se duhet të bëhen publike transkriptet që tregojnë marrëveshje të fshehta dhe lidhje të pandershme mes ministrave dhe grupeve kriminale.
“Zero tolerancë ndaj këtyre bosëve të krimit. Kudo që të jenë, do i gjejmë, do i kapim dhe do i nxjerrim para ligjit,” tha Berisha. Ai gjithashtu paralajmëroi se nëse këto probleme nuk zgjidhen, Shqipëria mund të bëhet një burim i madh kriminaliteti për Evropën dhe botën.