
Fisnik Qosja deklaron se nuk ka ndryshuar asgjë për të, pavarësisht aludimeve të ngritura pas pjesëmarrjes së tij në takimin e kryeministrit Edi Rama me kryebashkiakët e bregdetit dhe turoperatorët në Vlorë.
Pjesëmarrja e kryebashkiakut të Kavajës dhe njëkohësisht drejtuesit politik të PD-së, Fisnik Qosja, në takimin e Vlorës ka shkaktuar reagime dhe aludime politike. Megjithatë, Qosja ka zgjedhur të mos i komentojë ato publikisht. Në një komunikim telefonik, i pyetur nga Top Channel, ai theksoi se ka zgjedhur të mosprononcohet, po qëndrimi i tij mbetet i pandryshuar dhe se ata që e njohin, e dinë mirë pozicionin e tij.
“Rama u ngacmua gjatë takimit kur ngrita dy gishtat.”
I organizuar për çështje të sezonit turistik, takimi u shoqërua me një batutë nga kryeministri që tërhoqi vëmendjen. Rama e thumboi Qosen, duke iu referuar ngjarjeve brenda Partisë Demokratike pas primareve në Kavajë.
“Kavaja, kemi pasur ca probleme me primaret aty. Është kryebashkiaku këtu, e përshëndes. E shoh që je turbulluar nga primaret. Po, po, me dy gishta sigurisht. Por themi ta bëjmë edhe Kavajën pjesë të këtij zhvillimi”, u shpreh Rama, duke ndezur hamendësime mbi të ardhmen politike të Qoses.
I pyetur për diskutimet që hapi pjesëmarrja e kryebashkiakut Qosja në takim, reagoi edhe Hysen Kadiu, ish-kryetar i degës së PD-së në Kavajë, i cili dha dorëheqjen pasi, pavarësisht se doli i pari në primaret e qarkut Tiranë, më 1 mars, nuk u përfshi në listën e mbyllur të kandidatëve për deputetë.
Kadiu e konsideroi takimin në Vlorë si një mbledhje jo në momentin e duhur, duke iu referuar fushatës elektorale.
“Asgjë nuk ka ndryshuar. Ishte një takim për bashkitë bregdetare, po në një kohë të papërshtshme”, u shpreh ai.
Qejfmbetjet në PD-në e Kavajës janë të dukshme, sidomos pas përfshirjes në to të kushëririt të ish-kryebashkiakut socialist Elvis Rroshi në vend të më të votuarve në primare. Në këtë kontekst, prania e Qoses në Vlorë e riktheu vëmendjen tek situata politike në Kavajë, qytetin e konsideruar si bastion i PD-së.
Por a ishte ky një sinjal largimi, një hap distancues nga PD, apo thjesht një angazhim institucional në rolin e kryebashkiakut? Për momentin, Fisnik Qosja zgjedh të deklarojë shkurt se asgjë nuk ka ndryshuar dhe se vijon punën për Kavajën.