Një pritje me nderime të veçanta iu rezervua Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, nga Kancelari austriak, Dr. Christian Stocker. Kreu i Shtetit i përcolli Kancelarit Stocker mirënjohje për mbështetjen e Austrisë ndaj Shqipërisë në momentet kyçe të historisë, duke theksuar rolin thelbësor dhe mbështetjen e palëkundur politike në rrugëtimin e Shqipërisë për integrimin evropian.
“Partneriteti Shqipëri-Austri bazohet në vlerat e përbashkëta, demokracinë, paqen dhe stabilitetin. Këto parime na bashkojnë dhe ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për të adresuar sfidat rajonale dhe globale dhe për të nxitur një marrëdhënie të qëndrueshme dhe afatgjatë”, vlerësoi Presidenti Begaj.
Në takim u riafirmua angazhimi që krahas marrëdhënieve të forta politike të avancohet edhe me bashkëpunimin ekonomik.
“Shprehim mirënjohjen për rolin e madh që kanë luajtur investimet kapitale të hershme austriake në ekonominë tonë”, – u shpreh Kreu i Shtetit, i cili nënvizoi dhe ndihmën e qeverisë austriake në reformimin e arsimit profesional dhe të sistemit të drejtësisë, bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar midis dy vendeve, si dhe investimet austriake në Shqipëri.
Gjatë takimit u vlerësua forcimi i bashkëpunimit ekonomik, si dhe i investimeve dhe lidhjeve tregtare midis Austrisë dhe Shqipërisë. Qeveria austriake ka qenë një nga donatorët më të rëndësishëm që ka mbështetur ndër vite reformën e sistemit të arsimit dhe formimit profesional në vendin tonë. Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria është e interesuar të thellojë bashkëpunimin në fushën e arsimit universitar, si dhe të formimit profesional. Shqipëria, – nënvizoi Presidenti Begaj, – është gjithashtu e interesuar të presë shumë më tepër investime direkte austriake në sektorë të ndryshëm, përfshirë energjinë, naftën, turizmin, transportin, infrastrukturën, bujqësinë, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, e të tjera.
Presidenti i Republikës u shpreh se Shqipëria ofron një klimë tërheqëse investimi dhe se në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve ka potencial për shfrytëzim, në rradhë të parë parë në turizëm, ku Shqipëria po njeh një zhvillim shumë pozitiv.