Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Korenë e Jugut, ku të paktën 18 persona kanë humbur jetën dhe 19 janë plagosur si pasojë e zjarreve që kanë përfshirë rajonin juglindor të Koresë së Jugut.
Shumica e atyre që kanë ndërruar jetë u përkasin moshave 60-70 vjeç. Ndërkohë që rreth 23 mijë persona janë evakuuar dhe më shumë se 17 mijë hektarë pyje janë shkatërruar.
Presidenti në detyrë, Han Duck-soo me anë të një postimi tha se situata në vend vazhdon të mbetet kritike.
“Kriza e paprecedentë vazhdon që të mbetet kritike dhe po rishkruan librat e rekordeve për zjarret më të këqij përgjatë historisë së kombit tonë”, shkroi ai.
BBC shkruan se sipas asaj që kanë raportuar autoritetet lokale, zjarret filluan në qarkun Sancheong të premten pasdite dhe më vonë u përhapën në qarkun Uiseong. Të nxitur nga erërat e forta dhe të thata, zjarret po përparojnë në qarqet fqinje të Andong, Cheongsong, Yeongyang dhe Yeongdeok, njoftoi agjencia e lajmeve Yonhap.
Mijëra zjarrfikës dhe rreth 5000 personel ushtarak janë vendosur për të kontrolluar flakët e shumta, si dhe helikopterë nga ushtria amerikane e vendosur në Kore.
Zjarret në Korenë e Jugut janë të rralla, por së fundmi vendi ka përjetuar kushtet më të thata se normalja me më pak reshje se mesatarja.