
Zëvendëspresidenti JD Vance dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë filluar sot vizitën e tyre në bazën hapësinore Pituffik, shtëpia e personelit të Forcave Hapësinore të SHBA dhe Forcave Ajrore në Groenlandë.
Sipas mediave të huaja, vendndodhja unike e kësaj baze 'maja e botës', sipas faqes së internetit të Forcave Hapësinore të SHBA-së, e bën atë një pozicion të favorshëm për mbrojtjen ushtarake.
Ekspertët thonë se raketat e lëshuara nga Rusia dhe Kina drejt SHBA-së, ka shumë të ngjarë të zbulohen fillimisht atje.
"Është fjalë për fjalë syri më i jashtëm i mbrojtjes amerikane," tha për New York Times Peter Ernstved Rasmussen, një analist danez i mbrojtjes.
"Pituffik është vendi ku SHBA mund të zbulojë një lëshim, të llogarisë trajektoren dhe të aktivizojë sistemet e saj të mbrojtjes raketore. Është e pazëvendësueshme", shtoi ai.
Baza ushtarake e akullt - "e mbyllur nga akulli nëntë muaj në vit" - kryen misione paralajmërimi raketash, mbrojtje nga raketat dhe mbikqyrje hapësinore, sipas USSF.