
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi sot se kishte marrë nga Shtetet e Bashkuara një version të ri të marrëveshjes për mineralet strategjike, “krejtësisht të ndryshme” nga ajo e mëparshme.
“Pala ukrainase mori zyrtarisht propozimet amerikane sot”, tha presidenti ukrainas në një konferencë shtypi, pa zbuluar detaje të versionit të ri.
Sipas mediave lokale, propozimi nuk është aspak i favorshëm për Ukrainën.
Zelensky tha se projekt-marrëveshja është “krejtësisht e ndryshme” nga ajo që ai po diskutonte dhe do të kërkojë studim të mëtejshëm nga shërbimet ligjore. Ai shtoi se Kievi nuk do të pranojë një marrëveshje që kërcënon integrimin e saj evropian dhe se Ukraina nuk do ta njohë ndihmën ushtarake amerikane si hua.
Zelensky akuzoi gjithashtu presidentin rus Vladimir Putin se kërkon të zgjasë luftën me propozimin e tij për një “qeveri kalimtare” në Ukrainë, nën kujdesin e OKB-së. “Gjithçka që ai bën vonon çdo mundësi për të negociuar për t’i dhënë fund luftës,” komentoi ai.
“Putini ka frikë nga bisedimet me mua”, tha Zelensky ai. Ai tha se vendi i tij do të pranonte të zhvillonte bisedime me çdo përfaqësues tjetër të Rusisë, përveç Putinit.