Zv.presidenti amerikan JD Vance dhe zyrtarë të tjerë të lartë mbërritën pasditen e së premtes në Groenlandë, në një kohë kur Presidenti Donald Trump po rinovon këmbënguljen e tij që Uashingtoni duhet të marrë kontrollin e territorit gjysmë autonom danez.
Shtëpia e Bardhë raporton se Vance shoqërohet në udhëtimin njëditor nga Usha Vance-bashkëshortja e tij, Chris Wright-sekretari i energjisë, Michael Waltz-këshilltari i sigurisë kombëtare; dhe senatori Mike Lee-republikan nga Utah.
Itinerari i udhëtimit ndryshoi ditët e fundit pasi njoftimi i mëparshëm u prit me reagime të ashpra në Groenlandë. Fillimisht, znj. Vance, pritej të vizitonte ishullin së bashku me Waltz. Ajo kishte planifikuar gjithashtu të merrte pjesë në një garë qensh me slitë në jug të Groenlandës.
Një agjenci udhëtimi në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës, deklaroi se do të refuzonte një kërkesë nga SHBA që Vance të vizitonte zyrën e saj. Organizatorët e garës së qenve me slitë bënë të qartë se nuk e kishin ftuar atë.
Delegacioni i zgjeruar tani planifikon të vizitojë vetëm Bazën Hapësinore Pituffik, e njohur më parë si Baza Ajrore Thule, një instalacion shtatëdekadësh i operuar nga forcat amerikane në veriperëndim të Groenlandës, brenda Rrethit Arktik.