Kryeministri i vendit, Edi Rama, ndodhet në Sarandë, ku ka zhvilluar një takim me sipërmarrës të rinj të kthyer në Shqipëri.
Ai u shpreh i bindur në fitoren e mandatit të katërt më 11 maj dhe tha se kur PS të fitojë, opozita do ta akuzojë sërish për vjedhje të zgjedhjeve.
Ndërsa i bëri thirrje të rinjve që të investojnë dhe koha e duhur është tani, pasi sipas kryeministrit kur vendi të hyjë në BE, çmimet e pronave të patundshme do të dyfishohen.
Rama: Sërish kur të fitojmë do thonë “na i vodhën”. Rrugën 6 do ta fillojmë menjëherë pas zgjedhjeve, besoj nga gushti. Fondi i financimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që u vu në dispozicion, 250 mln euro, dhe që është funksional sot, me 70% garanci për kolateralin nga ana e qeverisë dhe me një interes që shkon nën 3%, është në dispozicion për të bërë të tilla investime.
Në momentin që ne hyjmë në BE, se ne do hyjmë në BE, të gjitha pronat do të pësojnë një rrije çmimi dyfish menjëherë siç ka treguar historia e të gjitha vendeve që kanë hyrë para nesh. Kur Kroacia hyri para nesh, një muaj mbrapa gjithçka kërceu dyfish sepse prona e patundshme bëhet objekt interesi për një popullatë që është qindra miliona njerëz, nuk është më interes i popullatës që jeton këtu. Edhe pse dyfishohen janë prap shumë më lirë se sa janë në vendet e zhvilluara të BE. Çfarëdo investimi që të bëni sot, është një investim që pas 5-7 vjetësh do t’iu kthehet në një mirësi shumë të mahe. Unë do t’iu inkurajoja ta bënit këtë gjë.