Politikë

President francez, Emmanuel Macron, vjen për tjetër vizitë zyrtare në Tiranë!

Shkruar nga Liberale
President francez, Emmanuel Macron, vjen për tjetër vizitë


Presidenti francez Emanuel Macron do të jetë në Tiranë në muajin maj, në vizitën e dytë zyrtare në Shqipëri që korrespondon edhe me Samitin e Komunitetit Politik Europian të 16 Majit.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Jashtëm, Igli Hasani, gjatë takimit me Benjamin Haddad, ministër i Deleguar për Evropën.

Gjatë takimit, të dyja palët kanë nënvizuar angazhimin e përbashkët për integrimin evropian, intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal.

Sipas Ministrit Hasani, vizita e Haddad është reflektim i marrëdhënieve të veçanta, të shëndosha dhe shumëdimensionale të ndërtuara mes Shqipërisë dhe Francës mike.

“Mbështetja e palëkundur e Francës në rrugën tonë evropiane është e paçmuar dhe jemi sinqerisht mirënjohës për këtë mbështetje, e cila forcon vizionin tonë të përbashkët për një Evropë të bashkuar dhe të begatshme. Ne shpresojmë shumë që të vazhdojmë të kemi këtë mbështetje, veçanërisht për mbajtjen e Konferencës së Katërt Ndërqeveritare, e cila urojmë të zhvillohet në ditët në vijim, sikurse edhe për hapjen e kapitujve të tjerë të mbetur brenda 2025-s deri në arritjen e objektivit tonë të qartë si kristali: mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027”, u shpreh Ministri Hasani.

Pjesë e rëndësishme e takimit të sotëm ishte edhe Samiti i ardhshëm në Tiranë i Komunitetit Politik Evropian, një samit historik që do të organizohet në Tiranë më 16 Maj 2025. Ministri Hasani u shpreh se:

“Shqipëria ka privilegjin dhe nderin të mikpresë këtë ngjarje të rëndësishme, e cila synon promovimin e bashkëpunimit dhe dialogut mes shteteve të Evropës për sfidat e përbashkëta, duke përfshirë sigurinë dhe stabilitetin. Roli kyç i Francës në themelimin e Komunitetit Politik Evropian është i jashtëzakonshëm, dhe ne do të angazhohemi maksimalisht për të avancuar objektivat e tij gjatë samitit të Tiranës”.

Ndër të tjera, dy ministrat vlerësuan edhe angazhimin aktiv të Francës në Ballkanin Perëndimor, i cili është thelbësor për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit. “Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht rolin e Francës në promovimin e një Evrope të qëndrueshme dhe të sigurt”, nënvizoi Ministri Hasani.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH