Jorida Tabaku projektohet si deputetja që do të hyjë në Parlamentin e 4 viteve të ardhshme nga radhët e Partisë Demokratike.
Gjatë numërimit të kutive të fundit Tabaku dhe Alimehmeti kanë ndërruar rolet për vendin e parë të listës së hapur nga votat që kanë marrë, duke siguruar secili mbi rreth 5 mijë të tilla.
Sakaq, numërimi i votave preferenciale vijon në Shqipëri, ndërsa në Tiranë beteja mbetet e fortë mes kandidatëve.
Deri më tani në bashkinë e Tiranës janë numëruar 397 nga 1282 kuti votimi, nga ku Ilir Alimehmeti ka siguruar 5299 vota, ndërsa Jorida Tabaku 5205 vota. Gara mes tyre është e ashpër, por edhe e padrejtë.
Si Tabaku dhe Alimehmeti për nga rezultati i deritanishëm janë ndër më të preferuarit dhe më të votuarit në rang kombëtar, por po vuajnë kapriciot e një sistemi që nuk i favorizon. Nëse për PS kishte vend për shtatë deputetë nga listat e hapura, nuk ndodh e njëjta gjë me PD.
Diferenca mes dy kandidatëve është e vogël dhe kutitë e votave nuk janë numëruar të gjitha, e si rrjedhojë ky rezultat mund të ndryshojë deri në hapjen e kutisë së fundit.