
Monika Kryemadhi i ka uruar ditëlindjen ish-bashkëshortit të saj Ilir Meta.
Deputetja e PL në reagimin e saj i bën apel të gjithë mbështetësve të Metës që urimin për ditëlindjen e tij ta bëjnë duke njoftuar të gjithë miqtë që në 11 maj të votojnë Partinë e Lirisë.
Sipas deputetës së Partisë së Lirisë, vota për Metën është një votë për ndryshimin e Shqipërisë.
“I uroj ditëlindjen Ilir Metës sot në 56-vjetorin e tij. Sot kjo ditëlindje është ndryshe nga çdo ditëlindje tjetër, por ka një veçori komplet tjetër në këndvështrimin tim. Sot të gjithë kanë detyrimin që urimin ndaj teje ta bëjnë duke iu kujtuar çdo miku që në 11 maj votat e tyre të jenë për ty Ilir Metaj në radhë të parë sepse si gjithmonë e vendos veten sakrificë për të tjerët dhe vendos parimet e tua morale politike para interesit tënd personal.
Dhuratat mund të jenë të ndryshme për ditën e ditëlindjes por unë sot të uroj që dhuratën më të bukur këtë vit ta marrësh më 11 maj ku më shumë se kurrë çdo mik apo ish-mik i yti, dashamirës besoj kanë mundësinë që të bëjnë veprimin më të thjeshtë duke të votuar ty, por që në fakt është mundësi ndryshimi për ta dhe për gjithë Shqipërinë. Gëzuar ditëlindjen Ilir Metaj!” – shkruan Kryemadhi në rrjetet sociale.