Politikë

Kreu i PAA, Duka në protestën e opozitës: Qeveria ka dalë nga "binarët", sillen si pronarë të shtetit!

Shkruar nga Liberale
Kreu i PAA, Duka në protestën e opozitës: Qeveria ka dalë

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, mbajti fjalën e tij gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë, duke kritikuar ashpër qeverinë dhe mazhorancën në pushtet.

Ai theksoi se ka shumë arsye për të protestuar, por solli në vëmendje dy nga arsyet kryesore. Sipas tij, mazhoranca ka dalë nga binarët e ligjit dhe ata që qeverisin sillen si pronarë të shtetit.

Kreu i PAA, i akuzoi ata për vendosjen e çmimeve të rrugëve sipas dëshirës dhe për kompensimin e pronarëve të tokave me çmime të ulëta. Po ashtu, Duka theksoi lehtësimin e ndërtimeve në zona të mbrojtura, duke e parë ligjin si një pengesë të tejkaluar për interesat e qeverisë.

Një tjetër kritikë e fortë ishte lidhur me dështimin e operacionit për nxjerrjen e naftës në Shpirag, kur kompania SHELL u largua nga Shqipëria. Duka e quajti të turpshme llogaritjen e miliarda fitimesh të premtuara nga Rama në konferencat e mëparshme, të cilat, sipas tij, nuk u realizuan kurrë, ndërsa qeveria nuk mori përgjegjësi për këtë dështim.

Ai gjithashtu reagoi ndaj pyetjeve që shpesh i drejtohen protestuesve, “çfarë zgjidhët me protestat?”, duke u shprehur se “para këtyre vjedhjeve, a është më mirë të heshtim apo jo?”.

Duka u shpreh se qëllimi i protestave është të heqin nga pushteti ata që shpërdorojnë ligjin dhe abuzojnë me të. Ai përfundoi duke theksuar se nuk ka ambicie për karrigen e deputetit apo ministrit, por kërkon të sundojë rregulli dhe ligji në vend.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH