Politikë

INTERVISTA ELEKTORALE/ Etjen Xhafaj: Partia Socialiste di të bashkojë brezat

Shkruar nga Liberale
INTERVISTA ELEKTORALE/ Etjen Xhafaj: Partia Socialiste di të bashkojë

Intervistoi: Reldar Dedaj


Në prag të fushatës zgjedhore dhe përballë një liste të hapur kandidatësh në Partinë Socialiste, Etjen Xhafaj flet për sfidën e re elektorale dhe vizionin e tij politik. Në një intervistë për gazetën Liberale.al, ai ndalet te përfaqësimi politik i brezit të ri, roli i lidershipit aktual dhe transformimet që synon Shqipëria në rrugën drejt Bashkimit Europian. Ai ka bindjen se PS ka treguar aftësi për të bashkuar brezat dhe ide të ndryshme për të prodhuar politika të qëndrueshme në shërbim të qytetarëve.

Lista e hapur e kandidatëve për deputet nga Partia Socialiste: Sa shanse krijon ajo për Etjen Xhafajn përballë figurave me eksperiencë të gjatë në politikë?

Së pari, unë nuk do t’i referohesha kurrë asnjë kolegu, të kësaj legjislature apo të legjislaturave të mëparshme, si “dinozaur”. Partia Socialiste ka treguar gjithmonë, dhe vijon ta tregojë, se ka një aftësi të veçantë për të bashkuar brezat, idetë dhe vullnetet për të prodhuar politika në të mirë të vendit. Këtë e dëshmon rekordi ynë në qeverisje, sa herë që Shqipëria është qeverisur nga PS.

Kolegët me përvojë kanë sjellë dhe vijojnë të sjellin ide të vlefshme. Përzierja e këtyre ideve është ajo për të cilën vendi ka nevojë. “Dinozaurët” janë përballë, me të njëjtën mendësi që nuk ndryshon.

Sa i përket shanseve të mia, mendoj se kemi një mundësi të mirë, falë ekipit që kemi në Baldushk, Petrelë e Farkë, dhe falë qytetarëve që kanë zgjedhur të na ndihmojnë edhe jashtë strukturave zyrtare në të gjithë qarkun. Besoj se fushata përbëhet nga tre elementë kryesorë: takime, orë pune dhe imazh. Unë, bashkë me ekipin tim ndër vite — të cilëve u jam shumë mirënjohës — do të bëjmë gjithçka që të sigurojmë një rezultat të mirë, për të vijuar përfaqësimin dhe angazhimin me komunitetet edhe për legjislaturën e njëmbëdhjetë.

Si e përkufizoni Edi Ramën në këtë fazë të karrierës dhe të qeverisjes së tij?

Edi Rama është lideri që i duhet Shqipërisë në prag të sfidës më të rëndësishme që kemi pasur në 25 vitet e fundit: përmbushja e ambicies historike për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe transformimi i gjithanshëm i vendit në përputhje me këtë synim.

Ai ka vizionin për të përballuar krizat e menjëhershme — siç e treguan rastet e tërmetit dhe pandemisë — por edhe për të parë përtej të sotmes, duke udhëhequr reformimin e institucioneve në funksion të Shqipërisë europiane. Përvoja e tij në ndërtimin e shtetit dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare është e pazëvendësueshme në këtë proces, i cili kërkon jo vetëm përpjekje të mëdha nga ne, por edhe tejkalim të vetes për të arritur anëtarësimin deri në fund të vitit 2029.

A ndikon në imazhin e Partisë Socialiste numri i lartë i hetimeve dhe arrestimeve në radhët e saj?

Hapja e hetimeve ndaj anëtarëve apo ish-anëtarëve të mazhorancës tregon pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe forcën që i është dhënë atij nga kjo mazhorancë gjatë dy mandateve të fundit. Këto zhvillime do të ishin të paimagjinueshme në çdo periudhë tjetër, sidomos në vitet para 2013-s, kur Partia Socialiste mori pushtetin.

Mendoj se qytetarët e kuptojnë mirë këtë realitet dhe presin një drejtësi të paanshme dhe të drejtë, ashtu siç e kërkon edhe statusi i një vendi që aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian.

Sa e majtë është PS sot në qeverisje?

Shpesh, Partisë Socialiste i bëhen gjykime nga prizmi historik apo ideologjik, pa marrë parasysh realitetin konkret të vitit 2013, kur e gjetëm vendin me ekonomi dhe financa publike të shkatërruara, dhe pa harruar krizat që kemi kaluar ndërkohë.

Ne kemi rigjallëruar motorët e rritjes ekonomike, kemi konsoliduar financat publike, kemi përballuar me sukses inflacionin dhe krizën energjetike të shkaktuar nga lufta, si dhe kemi investuar në rindërtim dhe përballimin e pasojave të pandemisë.

Politikat e ndjekura, si aplikimi i taksës progresive që prej vitit 2014 dhe investimet në infrastrukturë në çdo qytet të vendit, janë thellësisht të majta. Ato kanë përmirësuar borxhin publik dhe kanë rritur të ardhurat për frymë. Sigurisht, ka ende shumë punë për të bërë, dhe për këtë kërkojmë një mandat të katërt. Ai do të na mundësojë të zbatojmë një paketë të gjerë reformash sociale për shtresat më në nevojë dhe për të vazhduar rrugën pozitive që e tregojnë edhe institucionet ndërkombëtare që monitorojnë ekonominë tonë.

Nëse Partia Socialiste fiton për herë të katërt zgjedhjet, çfarë zgjedhjeje kanë shqiptarët: jetesën këtu apo largimin? A ka arsye për të qëndruar në vend?

Unë vetë jam një ndër ata që janë larguar nga Shqipëria në fund të viteve ’90 dhe janë kthyer në vitin 2005. Shqipëria e atëhershme dhe kjo e sotmja janë vite dritë larg. Unë kam besuar gjithmonë në rikthimin dhe dhënien e kontributit në vendin tim, dhe njoh shumë të tjerë që kanë bërë të njëjtën gjë me sukses.

Nuk mendoj se shqiptarët kanë vetëm dy zgjedhje — të ikin apo të rrinë. Sot ka shumë modele suksesi në Shqipëri, qofshin ata që nuk janë larguar kurrë, apo ata që janë kthyer pas një kohe jashtë vendit. Shumica prej tyre janë sot në krye të sektorëve të ndryshëm ekonomikë, në politikë, media dhe shoqëri civile.

Besoj se nëse jemi të angazhuar, mund ta ndërtojmë suksesin këtu, në qytetin dhe vendin tonë. Kjo është një detyrë që të parët tanë e kanë pasur aq të shenjtë, sa krijuan një shtet shqiptar në rrethana shumë më të vështira sesa këto që kemi sot.

Ndërsa Shqipëria është në prag të anëtarësimit në BE dhe idetë pozitive po e çojnë vendin përpara, unë besoj se ka shumë arsye për të qëndruar këtu dhe për të ndërtuar një jetë të mirë. E para ndër to është se vetëm ne, shqiptarët, mund ta bëjmë këtë vend më të mirë për veten dhe për familjet tona.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH