Ka nisur sot shpërndarja e parë e fletëve të votimit për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Sipas KQZ, deri në orën 15:00 u dërguan 70.362 zarfe drejt diasporës shqiptare, të cilat përfshijnë fletët e votimit për qarqet Durrës, Dibër, Kukës dhe Berat
Sipas të dhënave zyrtare, 11 persona e konfirmuan marrjen e zarfeve në adresat e tyre, ndërkohë që procesi i dërgimit vijon.
Numrin më të lartë të dërgesave e mban Italia me 30.688 zarfe, më pas vjen Greqia me 20.728, Gjermania me 7.008, Mbretëria e Bashkuar me 4,383 zarfe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 2.963 zarfe të dërguara.
Për vendet e Europës, pakot pritet të mbërrijnë deri më 22 prill, ndërsa në kontinentet e tjera, afati maksimal i mbërritjes është 25 prilli.
Dorëzimi do të bëhet vetëm personalisht nga postieri, i cili do të kryejë deri në tri tentativa për të kontaktuar votuesin. Nëse nuk arrihet kontakti, zarfi do të lihet në kutinë postare më të afërt.
Votat e diasporës që mbërrijnë në Shqipëri pas orës 19:00 të datës 11 maj do të konsiderohen të pavlefshme.