Politikë

PROFIL/ Hysen Xhura në një betejë zgjedhore (jo vetëm) politike

Shkruar nga Liberale

PROFIL/ Hysen Xhura në një betejë zgjedhore (jo vetëm)

Pas 34 vitesh si mbështetës dhe pjesë e strukturave të Partisë Demokratike, Hysen Xhura ndërmerr angazhimin madhor për të kandiduar si deputet. Nis një sfidë të re, duke qëndruar besnik i parimeve të kahershme, me dhe për komunitetin ku jeton.

Ende e ruan në kujtesë pamjen e lagjes së vjetër. Janë imazhe dhe aroma fëmijërie që një njeri e shoqërojnë gjithë jetën. I kujtohet oborri i banesës përdhese, mbuluar nga pemët e dekoruar nga lulet, ku gjyshja priste mikeshat dhe i miklonte me mikpritjen e një zonje mondane. Shtëpia pozicionohej në zonën ku sot shtrihet kompleksi Xhuraj, por në kohën e Ahmet Zogut rrugica mbante emrin Karaveça. Regjimi komunist sigurisht që i ndryshoi emrin, siç ndryshoi shumë histori e fate njerëzore. As familja Xhura nuk mbeti e paprekur.

“Peshën e rëndë” të një gjyshi intelektual, të diplomuar në Graz të Austrisë dhe Modena të Italisë, njohës të shtatë gjuhëve të huaja, funksionar në qeverinë e Ahmet Zogut, Hysen Xhura do ta ndiente gjithmonë. Do ta përjetonte patjetër “parjen me sy jo të mirë nga drejtuesit e kohës”. Por efektin më të madh të këtij diferencimi do ta ndiente më qartë në fillimvitet ’80-të. Sapo kishte mbaruar shkollën 8-vjeçare “29 Nëntori”, sot shkolla 9-vjeçare “Gjon Buzuku”. Privimet nga regjimi do të bëheshin shkak për gjendjen e vështirë ekonomike, duke i pamundësuar vijimin e shkollës së mesme.

“U detyrova të filloj punë qysh në moshën 14-vjeçare si gjenerik-motorist në ndërmarrjen shtetërore, Parku Komunal”, shprehet z. Xhura. Krahas punës, ndoqi studimet në shkollën e mesme “8 Nëntori” në Kombinat, e cila quhej ndryshe shkolla e natës. Me ardhjen e demokracisë, instalimin e pluralizmit politik dhe ekonomisë së tregut, jeta e askujt nuk ishte si më parë. Fillimisht punoi si mekanik. Ishte fusha ku kishte qëndruar shumë vite, madje atëherë e shikonte si profesionin dhe të ardhmen e tij.

Si shumë familje, pronat e të cilëve i kishte rrëmbyer regjimi komunist, qëndroi pranë të atit në betejën për të rimarrë atë që u përkiste prej dekadash. Çështja e rikthimit apo kompensimit, e ndërlikimit ligjor që përmbante gjithë procesi, injektoi te ai dëshirën për të qenë pjesë e jurisprudencës shqiptare. Ishte një ëndërr që u bë realitet disa vite më vonë, duke përmbyllur studimet universitare për juridik, pavarësisht se angazhimi profesional do të vijojë në një tjetër drejtim.

Njëherë demokrat, gjithmonë demokrat

Hysen Xhura nuk është politikani tipik shqiptar. As nuk mëton të afrohet me modelet që ofrohen sot në studiot televizive, të cilët më shumë se politikanë preferojnë të kthehen në showman. Nuk është njeriu i batutave, i sarkazmës apo fjalëve të mëdha. Më shumë se të flasë bukur, parapëlqen të jetë i vërtetë. Qëndron fjalëpak, por i sigurt dhe i qartë në atë që dëshiron për të ardhmen. I vendosur për drejtimin politik, e mbi të gjitha kokëfortë për të çuar përpara zonën dhe komunitetin ku jeton.

Duke njohur jetën e tij gjatë regjimit, është më se e kuptueshme pse ai gjendet në kampin e demokratëve. Nuk është prej vitesh, është prej dekadash pjesë e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Fill pas themelimit është angazhuar në organigramën e saj, duke qenë në strukturat drejtuese të Forumit Rinor.

Emigrimi për gati një dekadë, nga 1997-ta deri në 2005-ën, në Maltë, Amerikë dhe Gjermani, nuk e shkëputi dhe as e la indiferent ndaj përkatësisë politike. Nuk e kurseu mbështetjen në distancë, për të dhënë më vonë kontribut real në jetën e qytetarëve të Tiranës. U largua në kohë të rrëmujshme nga Shqipëria dhe u rikthye në kohë më të paqta, me mendimin se gjëra të mira do të ndodhnin për vendin e tij. “Kam pasur një jetë shumë të mirë, si sociale ashtu edhe ekonomike në Gjermani. Por kurrë nuk jam ndjerë se i përkisja atij vendi”, thotë Xhura. Mbylli kështu jetën e emigrantit për të filluar sërish pranë bizneseve familjare.

Tre vite pasi Partia Demokratike kishte marrë pushtetin, nisi rrugëtimin e gjatë politik. Kandidoi fillimisht për drejtimin e Partisë Demokratike në Njësinë 4, e më tej u fut në garë për të qenë anëtar i kryesisë së Tiranës. Këto dy fitore i përplotësoi me zgjedhjen në Këshillin Kombëtar të PD-së. Në 2010-ën u bë pjesë e administratës publik me emërimin në postin e zv. Drejtorit të Përgjithshëm të Aluiznit.

Fitorja më e madhe, nuk është aspak tepërt nëse e cilësojmë historike për partinë, ishte gara për kreun e Njësisë Bashkiake nr. 4, në vitin 2011-të. Fitoi me një rezultat të thellë dhe u bë i pari i djathtë që mor drejtimin e kësaj njësie, e cila kishte qëndruar prej vitesh nën tutelën e Partisë Socialiste. Me ndryshimet ligjore të 2015-ës, nuk mundi që të kandidonte për një mandat të dytë. Pavarësisht kësaj, vijoi me angazhimet e tjera partiake, si anëtar i Këshillit Kombëtar dhe anëtar kryesie e dege.

Lufta e madhe, jo vetëm retorike, por me pasoja në fragmentarizimin e Partisë Demokratike, nuk e vendosi aspak në dilema ekzistencialiste. Kishte besuar fort, që në fillesat e saj, te identiteti i një partie euroatlantike, me parime të djathta, që mbron lirinë e pronës, lirinë ekonomike dhe liritë fetare. “U pozicionova me atë rrymë që ruajti të njëjtat parime”, sqaron Xhura më tej. Ka mendimin se  PD-ja e madhe ka dalë nga linja historike duke degraduar në një grupim politik pa ideologji dhe në mbrojtje të interesave personale.

Një deputet për njerëzit

Dukshëm shfaqet një ndjenjë krenarie kur rrëfen katër vitet e drejtimit të Njësisë Administrative nr. 4. “Ishte një mandat i suksesshëm”, thekson. Përmend investimin e parë me ujësjellësin e ri në zonën e “5 Majit”. Tregon për investimet në rrugë, ndriçime, në institucione arsimore, parqe e kënde lojërash, për ta bërë përditshmërinë e banorëve më të mirë dhe më cilësore. Specifikon si tjetër arritje vendosjen e një standardi të ri pune, që i përgjigjej qytetarit duke shkuar pranë tij për zgjidhjen e problematikave.

E ndërsa qasja njerëzore dhe institucionale vijon trashëgiminë, ndjen keqardhje për mungesën e investimeve të reja, por mbi të gjitha për lënien në degradim të veprave publike të atyre viteve.

Shtohet më tepër kjo ndjesi kur kujton vështirësitë politike gjatë dy viteve të fundit të mandatit, 2013-2015, kur në pushtet erdhi Partia Socialiste. “Ishin pengesa për qytetarin që vinin në ndërveprimet institucionale nga Këshilli Bashkiak, Ministria e Punëve dhe Çështjeve Sociale, në të cilat bllokoheshin fondet për paraplegjikët apo ndihmat ekonomike”, thotë më tej z. Xhura.

Pavarësisht kësaj, thekson se nuk u bë kurrë pjesë e skenarëve të politikës. Qëndroi në anën e qytetarit, duke vlerësuar më të rëndësishëm hallin e tij, se atë të politikanëve dhe partive. Me këtë trashëgimi e me këtë qasje vjen në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke kandidaur si deputet në listat e hapura të Koalicionit Euroatlantik. Në 34 vitet e angazhimit partiak, si i djathë, gjykon se ky është momenti më i vështirë në historinë politike të vendit, por i duhuri për këtë hap: për të mbajtur gjallë parimet e së djathtës e për të përfaqësuar siç duhet komunitetin. Kohët e vështira kërkojnë njerëz të vendosur.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH