Politikë

Berisha prezanton kandidatët në Durrës: Rama ka dy netë që nuk fle, merret duke i vënë nofka gjeniut LaCivita

Shkruar nga Liberale

 

Berisha prezanton kandidatët në Durrës: Rama ka dy netë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal sot në Durrës ku ka prezantuar sot kandidatët e tij për zgjedhjet e 11 majit.
Berisha tha Edi Rama “nuk fle dhe merret duke i vënë nofka gjeniut LaCivita, por shumë shpejt do e mësojë se Disney është në mbështetjen tuaj”.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Edi Rama, je i pashpresë. E di ti se e bitise siç e meriton. Ka dy ditë dhe net që nuk fle dhe merret duke i vënë nofka të ndryshme gjigantit, gjeniut, bashkëgjeniut të rikthimit më të madh në histori, Chris LaCivitas.

Arkitektit të rikthimit të Sali Berishës dhe opozitës shqiptare në pushtet. Edi, prit se do marrësh vesh prapë se kush përfaqëson tani anën kreative. Kur të marrësh vesh se Uollt Disney është në mbështetjen tuaj, bëhen pluhur të gjitha mashtrimet e tij.

Miq ndaj dhe unë u thashë ju, ju sot jeni simbol i fitores, ndershmëria juaj, qëndresa juaj, shpirti juaj i mirë është simbol i asaj që do arrijmë ne. Prej dy muajsh përballen dy alternativa.

Përballet një alternativë, e cila pasi ka plaçkitur dhe grabitur 12 vite qytetarët shqiptarë, pasi ka mashtruar ditë e natë dhe nuk ka mbajtur dot asnjë premtim, përpiqet të fshihet pas zhabave, hardhucave, avertebrorëve, reptilëve, dhe beson se në këtë mënyrë ai do t’u hutojë ju. Në këtë mënyrë ai do u shpërqendrojë. Në këtë mënyrë qytetarët nuk do pyesin se çfarë programi ka për jetën time, për punën time, për shëndetin tim, për fëmijët e mi, për mirëqenien time, për të ardhmen e Shqipërisë.

Këto për të nuk ekzistojnë. Ekziston vetëm përpjekja e turpshme, e shpifur për të mashtruar qytetarët, për të mbyllur ekranet televizive.

A e di ju, sot një bashkëpunëtor i imi më njoftoi, ‘mi anuluan dy studio ftesat, më thanë se ka urdhëruar Rama, nuk vijnë socialistët’. Nuk dalin dot, nuk përballen dot se kanë vetëm mashtrime, se kanë vetëm vjedhje, se kanë vetëm mëkate. Janë shkëputur, jetojnë në një realitet të paqenë. Jetojnë në një realitet që të trishton, të jep dhimbje në zemër.

Sot unë takova një grup përfaqësuesish të qytetarëve me aftësi ndryshe. Ato që ata deklaronin aty, në shumë aspekte janë të pabesueshme. Nga viti 2013, jo vetëm që nuk ishte shënuar asnjë përmirësim, por ishin ulur. Merrnin 100 mijë lekë kujdestari. Çfarë të bëj unë, tha burri i botës i nderuar, tani më japin 20 mijë lekë. Po çfarë kujdestarie mund të bëj me 20 mijë lekë unë?

Naftën jo vetëm ua kishin përgjysmuar, por ulur me pesë herë. Një i ri, i lindur me shikim të humbur, mbante frymën me 14 mijë lekë.

Pensionistë të tjerë me 70 mijë lekë. Braktisje, braktisje dhe vetëm braktisje ishte ajo që të vinte në mend.

Duhet të mos kesh zemër njeriu, të mos kesh ndjenja, të mos jesh prind, të mos jesh baba, të mos jesh gjysh, të lësh 760 mijë pensionistë të flasin me vete për kafshatën e gojës dhe ilaçet, siç i lë Edi Rama.

E kam thënë shumë herë, do e them kudo, si mundet t’u marrësh qytetarëve 8 miliardë euro taksa dhe t’u japësh këtyre burrave dhe grave fisnikë, që me djersën dhe mendjen e tyre kanë prurë Shqipërinë gjer këtu, 16 milionë euro. Nuk ka mallkim që nuk meriton, nuk ka sharje që nuk meriton. Ndaj dhe ne ndalemi këtu, tek paketa e dhembshurisë.

Ndaj dhe ne ndalemi këtu, me vendimin solemn, me zotimin para jush se paratë para së gjithash, taksat tuaja do ua kthejmë ju në rroga, pensione, shërbim shëndetësor, arsim dhe investime.

Nuk do ketë pension në Shqipëri nën 200 euro. Nuk do ketë shqiptar që do firmosë më pak se 200 euro. Jo! Pensionet mbi 200 euro do rriten 20 përqind. Rrogat minimale do rriten nga 400 në 500 euro. Rrogat mesatare do rriten në 1200 euro.

Rrogat e mësuesve do rriten në 1500 euro. Po, po. Do ua kthejmë ju njëherë paratë se paratë janë tuajat, nuk janë për t’u zhgërryer në luksin e neveritshëm qeveritarët. A e patë se si dolën tek hidhnin vallen e hajdutëve me aksesorë dhjetëra mijëra euro?

A e patë se si dolën? Kthimi i parave tek ju është detyrim i parë dhe më madhor i qeverisë pas 11 majit. Në 100 ditët e para, paketa e dhembshurisë do jetë ligj, do jetë në fuqi. Dhe jo vetëm aq, ne u premtojmë shqiptarëve kudo që janë se përveç 200 eurove minimum jetik, do kenë kartën e konsumatorit.

Karta e konsumatorit do të thotë se rrogëulëtit, pensionistët, ata që janë në ndihmë ekonomike, të tjerët që janë të papunë, ushqimet do i marrin 20 përqind më lirë. Shteti do u kthejë atyre paratë.

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH