
Kreu i Partisë Demokratike ka zhvilluar një takim këtë pasdite në Shkodër, ku ka prezantuar kandidatët e tij për këtë qark.
Berisha tha se zgjodhi Shkodrën për të nisur “betejën për të shembur diktaturën e dytë”, teksa tha se kjo është fushatë “çlirimtare”.
Berisha u ndal sërish te premtimet e produkteve ‘Made in Albania’, duke thënë se nëse fitojnë në 11 maj, PD do e ngrejë në këmbë Shqipërinë.
“Në vitin e parë do vendosim taksat më të ulëta në mbarë Europën”, tha Berisha.
“Përsëri, kjo nuk është Shqipëria Madhështore. Por pa këtë hap, nuk ka hap të dytë drejt saj. E dyta është Made in Albania. Made in Albania është prodhimi i Shqipërisë. Krenaria jonë kombëtare do jetë prodhimi i Shkodrës, Pukës, Malësisë së Madhe, Vaut të Dejës, Bushatit, prodhimi i mbarë Shqipërisë.
Po, po nuk ka njerëz më duarartë, nuk ka njerëz më mendjendritur se në këtë qytet. Prodhimet e tij, në qoftë se nxiten, në qoftë se ndihmohen, janë të denja për çdo treg. Unë garantoj biznesmenët shkodranë dhe mbarë shqiptarë, investitorët shkodranë dhe mbarë shqiptarë se taksat më të ulëta në Europë do vendosen vitin e parë të qeverisjes sonë. Se energjinë do ta blini tre herë më lirë.
Se energjinë do ta blini me çmimin më të ulët në Europë. Jemi në vitin e diasporës, e meriton diaspora.
Nuk e kemi një fjalë elektorale këtë, jo, e kemi një fjalë të vërtetë, e kemi një fjalë zemre dhe unë u garantoj se do bëjmë gjithçka që ata mijëra shkodranë që kanë ndërtuar suksesin e tyre në Itali, Greqi, Amerikë dhe kudo të rikthehen të ndërtojnë ëndrrën shkodrane, ëndrrën më të bukur të jetës së tyre.
Pesë vite, asnjë taksë. Lehtësira të tjera për rikthimin e tyre. Made in Albania është krenaria jonë.
Shqipëria, Shkodra në çdo skaj prodhon dhe do prodhojë. Imagjinoni për një moment fuqinë bujqësore të Nënshkodrës, Bushatit, Vaut të Dejës, Malësisë së Madhe, Pukës, etj. I garantoj fermerët se do kenë subvencione për çdo njësi prodhimi, për çdo fidan, për çdo kokë bagëti.
I garantoj se projektet e mëparshme të arrorëve dhe ullinjve do vazhdojnë të mbështeten me fuqinë më të madhe. Miqtë e mi, Shqipëria pa prodhim shkon drejt një shkretëtire. Prodhimi po bie çdo vit. Narkoeuro po shkatërron eksportet. Është bërë një para toksike. Çdo muaj bien eksportet. Bien eksportet, bie prodhimi, bie punësimi.
Do marrim çdo masë gjersa t’ua presim rrënjët me gërshërët e ligjit trafikantëve që të mos guxojnë të fusin një euro në Shqipëri nga paratë e krimit. Ne do bëjmë gjithçka që t’ua kompensojmë prodhuesve, eksportuesve dëmin që u krijon kursi i këmbimit. Do mbrojmë prodhimin vendas. Made in Albania do e ngrejë Shqipërinë, do e bëjë atë të vrapojë, do i bëjë të mëkëmbur qytetarët e saj”, tha ai.