Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një konferencë për mediat tha se amnistia penale është një "skandal kombëtar".
Basha u shpreh se PD nuk do të marrë pjesë nesër në seancën parlamentare kur do të votohet edhe ligji për Amnistinë Penale.
Ai ka shtuar se një ligj i tillë po përdoret nga mazhoranca me qëllim amnistimin e zyrtarëve të dënuar apo janë nën hetim. - “PD nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme parlamentare, është pritshmëria jonë që askush të mos bëhet patericë e këtij akti kriminal e korruptiv që synon lirimin e zyrtarëve të korruptuar. Kjo është përpjekja më skandaloze në 33 vite për të nxjerrë nga përgjegjësia penale zyrtarët e korruptuar”, tha ai.
Basha u shpreh se qeveria e Edi Ramës propozon përmes Amnistisë lirimin e zyrtarëve të dënuar apo nën hetim.
“Amnistia Penale bëhet për të amnistuar zyrtarët e tij të korruptuar. Ata që i dënon gjykata, i liron qeveria me votat në parlament. Nuk është hera e parë që Rama ndërhyn tek drejtësia. Është ankuar se BKH po ndërhyn tek zyrtarët e tij. Edi Rama është bërë pishman për reformën në drejtësi. Tani që SPAK po vepron, ai po bën gjithçka për të mbrojtur zyrtarët e lartë qeveritarë të korruptuar", theksoi Basha.
"Po përdor amnistinë, që të amnistojë njerëzit e tij të korruptuar, ndërsa refuzon që të amnistojë njerëzit që protestojnë ose që mbrojnë pronat e tyre. Rama dhe qeveria e tij e korruptuar kanë frikë nga drejtësia. PD inkurajon SPAK, BKH, që të vazhdojë punën, të hetojë dhe të çojë para ligjit, të gjithë zyrtarët e korruptuar”, tha kryetari demokrat.
Ligji për amnistinë penale pritet që të votohet gjatë ditës së nesërme. Por për miratimin e këtij ligji duhen së paku 84 vota.