Në Parlamentin e ri deputetët me më shumë mandate, janë nga radhët e demokratëve: Sali Berisha dhe Tritan Shehu të zgjedhur për herë të parë në zgjedhjet e 31 marsit 1991. Ndërsa nga socialistët, deputeti me më shumë mandate, që do të vijojë të jetë ligjvënës nga 9 Shtatori, kur nis sesioni i ri parlamentar, është Erjon Braçe i cili u zgjidh për herë të parë në ‘92.
Jashtë parlamentit mbetet për herë të parë nga 1992, duke mos llogaritur mungesën 1-vjeçare 1996-1997, Pandeli Majko, deputet për 9 legjislatura. Por edhe 42 kolegë të tij socialistë, me 1 ose me më shumë mandate. Në radhët e koalicionit të PD, afro gjysma nga deputetet aktual do të ulen sërish në parlament.
72 deputetë të rinj do të ulen për herë të parë në Kuvend si nga shumica, ashtu dhe partitë e opozitës. Deputetët që marrin një mandat për herë të parë, më së shumti janë nga Partia Socialiste edhe pse logjikshëm duhet të ndodhte e kundërta.
Në zgjedhjet e 11 majit PS siguroi 83 deputetë. Nga mazhoranca, 29 socialistë rinovuan kontratën e deputetit ndërsa 54 të tjerë do të ulen për herë të parë në sallën e përfaqësimit të vullnetit popullor.
Përveçse fitoi mandatin e katërt, Rama siguroi edhe 16 nga 17 ministrat e kabinetit qeveritar aktual, duke u dhënë një mandat deputeti të gjithë anëtarëve të ekzekutivit që ishin pjesë e listave.
13 prej tyre ishin në zonën e mbrojtur ndërsa vetëm 3 luftuan brenda llojit në betejën e Tiranës, Blendi Gonxhja, Ervin Hoxha dhe Anila Denaj.
Nga Partia Demokratike që u tkurr në 50 mandate, vetëm 6 emra erdhën nga vota preferenciale, mes të cilëve vetëm një grua. Jorida Tabaku, e cila do të jetë deputete e Tiranës edhe për një mandat tjetër 4-vjeçar.