Tre persona janë arrestuar për vrasjen e Altin Arapaj, 41 vjeç, që ndodhi në një vresht në Rafina, Greqi. Ndër personat e ndaluar është edhe Mikel Selimaj, 46 vjeç, i cili dyshohet si personi kryesor në këtë ngjarje. Dy të arrestuarit e tjerë akuzohen për ndihmë dhe bashkëpunim në krim.
Avokati i Selimajt, Nikos Roussopoulos, ka deklaruar për mediat se viktima dhe klienti i tij njiheshin prej vitesh dhe ishin miq. Sipas tij, atë ditë ata kishin përdorur kokainë dhe për këtë arsye janë kërkuar analiza gjaku dhe urine.
Avokati tha gjithashtu se arma me të cilën ndodhi vrasja ishte e viktimës. Ai shpjegoi se Selimaj po përpiqej ta çarmatoste Arapajn, por arma u shkrep aksidentalisht dhe plumbi e qëlloi në faqe. “Nëse dikush do të vriste me qëllim, nuk do të qëllonte në faqe,” tha avokati.
Sipas tij, nuk ka pasur ndonjë zënkë për prona mes viktimës dhe klientit të tij. Ai shtoi se Arapaj kishte një mosmarrëveshje për një pronë me një shtetas kanadez, por kjo nuk kishte lidhje me Selimajn.