Prokuroria e Shkodrës ka regjistruar një procedim penal për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Shkodër, ku një 4 vjeçar ndërroi jetë, siç dyshohet pasi mund të jetë helmuar nga një ilaç kundër brejtësve që prindërit e kishin përdorur për spërkatjen e një magazine.
Organi i akuzës ka orientuar Policinë Gjyqësore në komisariatin e Vaut të Dejës që të kryejë veprimet e para hetimore në lidhje më ngjarjen.
“Lidhur me rastin e te miturit 4 vjeçar qe ka ndërruar jete, ju bej me dije se Prokuroria ka orientuar shërbimet e Policisë Gjyqësore ne Komisariatin e Vau te Dejës për kryerjen e veprimeve te para hetimore. Është referuar materiali procedural penal dhe Prokuroria ka regjistruar procedimin penal dhe do vijojnë hetimet”, njofton organi i akuzës.
Fëmija nga fshati Mjedë i Vaut të Dejës humbi jetën tri ditë më parë, ndërsa motra e tij shtatë vjeçare ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në shërbimin e Pediatrisë në Tiranë.
Burime nga Spitali i Pediatrisë në Tiranë përjashtojnë mundësinë që fëmijët të jenë prekur nga meningiti. Ndërkohë në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se fëmijët janë paraqitur të premten e 21 shkurtit në pediatrinë e Shkodrës me shenja viroze dhe pas mjekimit janë larguar në shtëpi.
Por tjetër informacion përcjellin burime në Spitalin e Shkodrës të cilët thanë se trevjeçari është paraqitur me insuficencë kardiake ndërsa nga ana e mjekëve janë ndjekur të gjitha protokollet. Sipas tyre prindërve që në ditën e parë u është kërkuar që trevjeçarin ta lënë në observacion por ata kanë këmbëngulur që ta marrin në shtëpi.
Një ditë më pas ata kanë shkuar sërish në spital me fëmijët në gjendje më të rëndë shëndetësore. Pavarësisht angazhimit të mjekëve 3-vjeçari nuk ka mundur të jetojë.
E motra është dërguar me urgjencë në Pediatrinë e Tiranës dhe mësohet se ende nuk e ka kaluar rrezikun për jetën.
Analizat toksikologjike pritet të hedhin dritë mbi shkaqet që i morën jetën trevjeçarit, ndërsa për rastin hetime ka nisur edhe Prokuroria e Shkodrës.