
Edi Rama, duke folur për aspiratën e Shqipërisë për integrimin në BE, tha se në vendin tonë ka shumë gjëra që nuk shkojnë, duke filluar nga lufta kundër korrupsionit.
Por, kreu i qeverisë tha se askush jashtë PS nuk u kërkon dot llogari për luftën ndaj korrupsionit.
Gjithashtu, Rama ironizoi edhe Sali Berishën, duke thënë se të ishte për të, SPAK do të ishte shkrirë.
“E keni dëgjuar bufin e kënetës që thotë do ta shkrijmë? Nëse ne do ishim ata që përpiqen të na pikturojnë ishte shkrirë SPAK sot. Një fishkëllimë bufit dhe e di si vinte me ato flokët sikur sapo ka zbritur nga motori, me zhaba, zhapiqe, me gjithë ushtrinë nga mbrapa për të shkrirë SPAK. Por nuk ndodh kjo sepse e kemi sjellë ne këtë punë deri këtu”, tha kryeministri.
Rama: Ka gjëra që nuk shkojnë, por ama, duke filluar nga kjo e korrupsionit, që është më e tmerrshmja. Është më e tmerrshmja që ne ta pranojmë pa luftë. Që të na kërkojnë ne hesap të tjerët. Ne duhet t’i kërkojmë hesap njëri-tjetrit. Askush jashtë kësaj partie nuk na kërkon dot hesap për luftën ndaj korrupsionit. Çfarë po ndodh këtu, nuk jemi ne viktima.
Nuk është një luftë që na e hapi Amerika, se Amerika i tërhoqi ushtarët që kishte sjellë për të ndihmuar dhe mbështetur SPAK, ikën. Kush e mban stafetën tani? E keni dëgjuar bufin e kënetës që thotë do ta shkrijmë?
Nëse ne do ishim ata që përpiqen të na pikturojnë, ishte shkrirë SPAK sot. Një fishkëllimë bufit dhe e di si vinte me ato flokët sikur sapo ka zbritur nga motori, me zhaba, zhapiqe, me gjithë ushtrinë nga mbrapa për të shkrirë SPAK. Por nuk ndodh kjo sepse e kemi sjellë ne këtë punë deri këtu.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza për disa prej pushtetarëve më të lartë të shtetit shqiptar në tre dekada dhe ka finalizuar hetimet për një numër të madh zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të të gjitha niveleve.
Në kampin e mazhorancës, SPAK arrestoi ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj në korrik të vitit të kaluar – i cili u akuzua se përvetësoi fondet e Bashkimit Evropian përmes një restoranti të klasit të lartë në Tiranë – dhe një listë zyrtarësh të nivelit jo kaq të lartë, kryebashkiakë apo nënkryetarë bashkie, deputetë apo zyrtarë të tjerë.
Viti 2024 shënoi gjithashtu dënimin në Apel të Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos, me një masë dënimi edhe më të ashpër se sa ai i dhënë në shkallën e parë. Koka, i cili ka qëndruar në burg që nga dhjetori i vitit 2021, arrestimi i së cilit duket se hapi siparin e zyrtarëve të lartë të arrestuar për korrupsion, deklaroi në mënyrë figurative para trupës gjykuese: “Nuk jam unë peshku i madh”.
Ai i sugjeroi dëgjuesve të pyesnin Monika Kryemadhin, deputeten që sot është gjithashtu nën akuzë për korrupsion, se kush është me të vërtetë peshku i madh në vend. Kryemadhi, e cila ishte denoncuesja e Kokës për korrupsionin e incineratorëve, iu përgjigj sfidës duke deklaruar se “peshku i madh është Edi Rama”. Edi Rama reagoi i zemëruar duke e përshkruar komentin si “punë qensh”. Një tjetër i arrestuar, i cili mund tëkonsiderohet si “peshku i madh” është edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj me akuzat e korrupsionit ndryshoi qëndrimin e kryeministrit Edi Rama ndaj drejtësisë së re, përmes një ligjërimi si një përpjekje për të manipuluar emocionalisht publikun dhe për të shmangur vëmendjen nga argumentet racionale./Liberale.al/