Në 3-vjetorin e agresionit rus në Ukrainë, presidenti Volodymyr Zelensky thirri samitin ndërkombëtar të sigurisë. Udhëheqës të Bashkimit Evropian, përfshirë presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, janë të pranishëm.
Ndërkaq edhe kryeministri i vendit tonë, Edi Rama, i është drejtuar me një video përshëndetëse Samitit në Kiev.
Në fjalën e tij kreu i qeverisë u shpreh se peizazhi diplomatik për Ukrainën ka ndryshuar rrënjësisht, duke pasur parasysh dialogun e Donald Trump me Rusinë dhe u kërkoi liderëve perëndimorë të mos e injoronin realitetin e ri.
Shefi i qeverisë shqiptarë tha gjithashtu se është jetike të diskutohet fakti që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bisedojnë veçmas.
Rama shtoi se "udhëheqësit po silleshin sikur asgjë të mos kishte ndodhur, kur në fakt në Shtëpinë e Bardhë gjithçka ishte ndryshe."
“Unë mendoj se diçka e rëndësishme ka ndodhur, siç e dini të gjithë, dhe pyetja është se si do të mbështetet Ukraina në mënyrë efikase dhe si Evropa si kontinent, mund të jetë efikase në mbrojtjen e vetvetes dhe për të nxjerrë më të mirën nga diçka që po ndodh, një negociatë mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”, tha Rama.
“Unë nuk jam i sigurt që vetëm duke folur për rritjen e mbështetjes ushtarake dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake, ne e kuptojmë të gjithë çështjen. Ky është mendimi im modest. Ndoshta e kam gabim.”
Rama u ndal edhe te fakti që Uashingtoni dhe Moska kanë nisur bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje dhe potencialin që Ukraina të shkëputet nga bisedimet dhe t’i imponohet një rezultat i padrejtë.
“Ne kemi qenë prej kohësh në sistemin autopilot amerikan”, tha kryeministri Rama.
“Tani ky system autopilot duket i fikur. Askush nuk e di për sa kohë. Është koha për një reflektim më të thellë se çfarë do të bëjmë në lidhje me mbështetjen ushtarake apo shpenzimet ushtarake. Sigurisht që është shumë e nevojshme, por mund të mos jetë e mjaftueshme.”- shtoi ai.
Mes të tjerash kryeministri përsëriti se Shqipëria qëndronte plotësisht krah Ukrainës dhe aleatëve të saj, por theksoi se kishte disa dyshime për faktin se samiti po trajtonte vetëm gjysmën e problemit, anën ushtarake, dhe jo realitetin e ri politik dhe diplomatik atje.