
Në krah të Fredi Belerit dhe Vangjel Dules, Sali Berisha ka folur sot para emigrantëve shqiptarë në Athinë.
Në fjalën e mbajtur përpara mbështetësve në një takim entuziast, Berisha riktheu në vëmendje marrëveshjen për detin të qeverisë së tij në vitin 2009 me Greqinë, të cilën e hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese në atë kohë. Berisha tha se me atë marrëveshje fitonin të dy palët, ndërsa nëse PD kthehet në pushtet pas 11 majit, ajo marrëveshje do të finalizohet.
“Kushdo që nga ju kthehet do të ketë një periudhë 5-vjeçare pa asnjë taksë. Secili prej jush që do të vijë të investojë, do të ketë mbështetje të plotë. Do të vendosim regjimin dhe subvencionet që ka Greqia dhe vendet e BE-së,” – tha më tej në takim kryetari i PD.
Fredi Beleri, ish-kandidati i Berishës për zgjedhjet e Himarës në 2023, po bën fushatë në Greqi për opozitën e Berishës dhe Metës, të cilët e kandiduan si kryebashkiak në majin e 2023-shit.