Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar mbrëmjen e sotme rikthimin e tij në PD pasi hoqi dorë nga drejtimi i kësaj force politike.
Në një intervistë në Syri TV, Berisha ka rrëfyer se kur nisi beteja e tij për atë që ai e quajti një rikthim. Berisha thotë se rikthimi i tij kishte për qëllim mbrojtjen e vendit, që sipas tij po i shkelmohej sovraniteti.
“Së pari, dua të bëj një sqarim. Mendonin se kisha marrë fund, por unë isha ndarë me politikën, përveç FB dhe Instagramin, unë nuk kisha asnjë ambicie mbi tokë. Unë kisha vendosur që edhe mandatin ta dorëzoja 2-3 muaj më vonë pas zgjedhjeve të vitit 2021, ia kisha thënë kryetarit. Unë nuk bëra fushatë dhe e kisha të drejtë atë. Fushata ka një udhëheqës dhe nuk ka pse duken 2 koka.
Pse erdhi kjo? Unë, atë ditë që lexova përcaktimin e Antony Blinken në Twiterin e tij personal, shkoj në shtëpi dhe i shkruaj një letër me tre pika publike dhe vendosa të bëj një betejë në vetmi. Absolutisht. Dhe i them atij kryetarit, të mos futet PD në këtë punë, jemi parti pro-perëndimore, pro-amerikane, nuk kemi pse bëjmë asgjë. Me këtë merrem vetë. Pushka ime është pena ime.
Kur ai dërgoi Filip Rikerin, njeri me të cilin isha takuar disa herë, për të kërkuar që unë të mos futem në parlament, ndryshoi gjithçka sepse ajo ishte një kërkesë që kurrë një qeveri demokratike nuk mund ta bënte ndaj një partneri, përveçse ndaj një kolonie. Dhe i them tani, i thuaj zotit Riker që kurrë, asnjë komb tjetër nuk ka bërë sa kombi amerikan për shqiptarët për lirinë e tyre, por nuk e kanë bërë kurrë këtë për t’u bërë listën e deputetëve në parlament.
Prandaj kjo, deri këtu merr fund kjo punë. Nuk mund të jetë… Pse e nisa unë këtë?
Nuk e dija kurrë se sa do mbështetesha. Jo, absolutisht. Kur unë kam bërë thirrje për takim, njerëzit më të afërt të mi më kanë pyetur se a do vijnë njerëzit? Kush të vjen? U thashë, ata që besojnë në dinjitetin e njeriut, do vijnë. Ata që besojnë se ky vend duhet të përcaktojë vetë deputetët, do të vijnë. Pra, beteja ime ka nisur për këtë, nuk ka nisur për asnjë qëllim, përveçse për t’i thënë cilitdo se ky vend, sovranitetin e tij nuk mund ta shkelmosh. Këtu filloi e gjithë beteja ime,” tha Berisha.