Kronikë

"Mjekët bënë sa mundën"/ Reagojnë familjarët e 4-vjeçarit që humbi jetën TRAGJIKISHT në Shkodër

Shkruar nga Liberale

"Mjekët bënë sa mundën"/ Reagojnë

Pas ngjarjes tragjike në spitalin e Shkodrës, ku humbi jetën një fëmijë 4-vjeçar, kanë reaguar familjarët. Ata hodhën poshtë aludimet se mjekët nuk i kanë trajtuar fëmijët dhe se ngjarja është një fatkeqësi e familjes. Ndërkohë, prokuroria ka nisur hetimet lidhur me veprimet e mjekëve.

Familjarët kanë komunikuar me Euronews Albania, duke theksuar se nuk kanë asnjë pretendim ndaj spitalit të Shkodrës dhe se mjekët kanë bërë sa mundën për fëmijët.

Ata kërkojnë nga mediat që të tregohen të kujdesshëm në raportimin e ngjarjes, duke pasur parasysh gjendjen e rënduar shëndetësore të vajzës dhe faktin që nëna e fëmijëve është shtatzënë. Çdo lajm i pavërtetë mund të ndikojë negativisht në shëndetin e saj.

Gjendja shëndetësore e vajzës 7-vjeçare, e cila dyshohet të jetë helmuar së bashku me vëllanë 3-vjeçar, vijon të jetë e rëndë. Vajza ndodhet aktualisht në QSUT në Tiranë, ndërsa djali fatkeqësisht ka ndërruar jetë në spitalin rajonal të Shkodrës më 22 shkurt.

Sipas informacionit nga spitali rajonal i Shkodrës, fëmijët janë paraqitur për herë të parë për ndihmë shëndetësore më 21 shkurt, rreth orës 18:30. Pas ekzaminimit, mjekët konstatuan simptoma të ngjashme me virozat e stinës, duke përfshirë të vjellat dhe komplikacione të tjera.

Mjekët kërkuan që djali 4-vjeçar të qëndronte në spital, por babai refuzoi dhe e mori fëmijën në shtëpi, duke firmosur refuzimin e hospitalizimit në kartelën shëndetësore.

Një ditë më vonë, fëmijët u paraqitën përsëri në spital në gjendje të rënduar shëndetësore. Djali, i cili ishte sjellë në gjendje kritike, ka ndërruar jetë 15 minuta pas pranimit. Vajza 7-vjeçare u dërgua me urgjencë në Tiranë, ku ndodhet aktualisht nën kujdesin intensiv.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH