DVP Vlorë/Kontrolle intensive në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim evidentimin dhe goditjen e çdo veprimtari kriminale apo paligjshmërie që cenon sigurinë e qytetarëve.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Nightfall 2 ”, goditet një rast i armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen 1 armë zjarri pistoletë, me një krehër me fishekë, dhe fishekë për armë zjarri kallashnikov.
Vihet në pranga 34-vjeçari që i mbante të fshehura në banesë.
Arma e zjarrit do të dërgohet në Institutin e Policisë Shkencore për ekspertizë, me qëllim zbardhjen nëse është përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në zbatim të planit të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, kanë vijuar kontrollet dhe ndërhyrjet intensive në të gjithë territorin e qarkut, me fokus goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe të çdo veprimtarie të paligjshme që rrezikon jetën dhe sigurinë e qytetarëve.
Në këtë kuadër, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, mbrëmjen e djeshme, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Nightfall 2”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasi B. A., 34 vjeç, banues në fshatin Tragjas.
Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë, si dhe dhjetëra fishekë për armë zjarri kallashnikov.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.