Globi

Trump-Musk, 10 ditët që futën në krizë dyshen e çuditshme

Shkruar nga Liberale
Trump-Musk, 10 ditët që futën në krizë dyshen e

Muaji i mjaltit mes Donald Trump dhe Elon Musk duket se ka përfunduar. Në fakt, tarifat e vendosura nga administrata amerikane kanë nxjerrë me forcë në dritë çarjet në marrëdhëniet mes presidentit amerikan dhe shefit të Tesla-s.

Megjithëse tarifat janë një pikë qendrore e agjendës së Trump, Musk është përpjekur të përdorë rolin e tij të privilegjuar si “shoku i ngushtë” për të nisur një apel personal dhe të drejtpërdrejtë ndaj manjatit për të parandaluar zbatimin e detyrimeve doganore.

Përpjekja e tij, të paktën fillimisht, ra në vesh të shurdhër, duke nxjerrë në pah prishjen e parë të marrëdhënies.

Një grindje që nuk duket e mundur të ndreqet edhe pas pezullimit 90-ditor të detyrimeve, duke pasur parasysh tarifat shtesë doganore të vendosura ndaj Kinës, një partner kryesor tregtar për kompanitë e Musk.

Që kur tarifat hynë në fuqi, Musk, pavarësisht dështimit të përpjekjes së tij të parë për të ndaluar Trumpin, nuk ka humbur rastin për të shprehur publikisht mospajtimin e tij.

Duke u nisur nga deklarata kur nënvizoi se shpreson “që SHBA dhe Evropa do të jenë në gjendje të krijojnë një partneritet shumë të ngushtë: tashmë ka një aleancë, por shpresoj se do të jetë më e ngushtë dhe më e fortë. Dhe përsa i përket detyrimeve, ne do të kalojmë në një situatë me zero detyrime në të ardhmen, drejt një zone të tregtisë së lirë”.

Por kritikat e tij, sigurisht që nuk u ndalën me kaq. Në “stilin e vërtetë Musk”, shefi i Tesla-s, më pas drejtoi gishtin te personi që ai e konsideron arkitektin kryesor të politikës tarifore të Shtëpisë së Bardhë: Peter Navarro, duke e quajtur atë “të çmendur” dhe “më budalla se një thes me tulla”, madje duke shkuar aq larg, sa t’i sajonte pseudonimin sarkastik “Peter Retarrdo”.

Beteja e Elon Musk kundër tarifave u mbështet gjithashtu nga vëllai i tij Kimball, i cili është në bordin e Tesla-s.

Në një postim në rrjetin social X, Kimball Musk, përpara shpalljes së pezullimit 90-ditor të tarifave, kishte shprehur qartë kundërshtimin e tij ndaj tarifave doganore, duke i cilësuar ato si “taksë e përhershme për konsumatorët amerikanë” dhe “taksa më e lartë e vendosur nga një president në Amerikë në shumë breza”.

Por nëse tarifat ishin shkëndija, çarjet e para në partneritetin Trump-Musk u panë me zgjedhjet e Gjykatës së Lartë në Wisconsin.

Humbja e kandidatit republikan, e mbështetur fuqimisht nga shefi i Tesla-s, në fakt kishte “nxitur” rrethin e Trump kundër Musk-ut, i cili asnjëherë nuk e ka fshehur se nuk e ka vlerësuar praninë e miliarderit të platformës “X”.

Kur një marrëdhënie është në vështirësi, ka gjithmonë dy versione. Për Trump, ndoshta Musk nuk do të fitonte më vota, por përkundrazi, do t’i humbiste ato.

Nga ana e tij, miliarderi duket se ka filluar të mendojë se presidenti vullkanik, i cili premtoi një epokë të re të artë, është në rrugën e një recesioni të ekonomisë amerikane.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH