
Ka qenë një natë tensionesh mbrëmjen e djeshme në Exarchia të Greqisë. Mediat vendase bëjnë të ditur se persona të panjohur kanë sulmuar para pak mesnatës forcat e policisë.
Sipas Policisë greke, grupe personash të panjohur sulmuan forcat e policisë në kryqëzimin Kallidromiou dhe E. Benaki me bomba molotovi dhe gurë, ndërsa policia u përgjigj duke përdorur armë kimike.Të panjohurit i kanë vënë flakën kazanëve të plehrave, duke i përdorur si barrikada, ndërsa përplasjet me policinë kanë vijuar për rreth një orë.
Për shuarjen e flakëve në koshat e mbeturinave dhe makinat janë angazhuar 15 zjarrfikës dhe 7 automjete.
Policia greke bën me dije se një polic ka mbetur i plagosur ndërsa ka arrestuar 72 persona. Gjatë incidenteve janë përfshirë nga flakët 21 vetura, prej të cilave 5 janë djegur plotësisht, ndërsa dëme janë shkaktuar në një shtëpi dhe një dyqan.