Një kthesë dramatike është regjistruar në procesin gjyqësor për vrasjen e 33-vjeçarit Erjon Pelivani, në Greqi.
Pelivani u ekzekutua nga dhëndri i tij, Fatmir Tarellari, pas pretendimeve të mbesës se ishte përdhunuar prej tij.
Një dëshmi e re e dhënë nga vajza e të pandehurit ka hedhur dritë mbi falsifikimin e mesazheve që çuan në tragjedinë. Në një seancë të zhvilluar të premten në Gjykatën e Larisës, 19-vjeçarja pranoi se kishte falsifikuar mesazhet tekstuale për të bindur të atin, se daja kishte abuzuar me të.
Ngjarja tragjike ndodhi më 9 janar 2024, kur Fatmir Tarellari, pasi pa mesazhet e vajzës, vrau mikun e tij, Erjon Pelivani, afër një fabrike çimentoje, pak jashtë Volosit. Tarellari e qëlloi për vdekje, duke përdorur një pushkë gjuetie, pasi ishte bindur nga vajza e tij se 33-vjeçari kishte shantazhuar dhe abuzuar me të.
Sipas hetimeve të policisë greke, ngjarja e ka zanafillën kur Tarellari mori një telefonatë nga pronarja e banesës ku jetonte vajza e tij studente.
Qiradhënësja e informoi Tarellarin se e bija nuk kishte paguar qiranë, ndonëse ai ia kishte dërguar në mënyrë të rregullt paratë. Pas kësaj, vajza e tij 19-vjeçare i shpjegoi se kishte qenë e detyruar t’i jepte para dajës së saj, pasi ai po e shantazhonte me fotografi intime.
Ajo i tregoi babait të saj disa mesazhe SMS, të cilat ishin të montuara për të krijuar përshtypjen se 33-vjeçari ishte shantazhuesi dhe abuzuesi. Tarellari, duke i besuar verbërisht të bijës, ra në kurth dhe vrau mikun e tij.
Një hetim i mëpasshëm i Drejtorisë së Hetimeve Penale të Policisë greke vërtetoi se mesazhet e dërguara nga vajza ishin të montuara, duke çuar në përmbysjen e gjithë hetimit. Gjatë dëshmisë së saj në gjykatë, 19-vjeçarja pranoi se kishte falsifikuar mesazhet për të bindur të atin se Erjon Pelivani ishte abuzuesi dhe shantazhuesi.
Në seancën e zhvilluar, i pandehuri Fatmir Tarellari tha se ndihej keq për ngjarjen.
Gjyqi vazhdon dhe priten detaje të tjera gjatë seancave të ardhshme, ndërsa hetimet po zhvillohen për të sqaruar plotësisht ngjarjen.