Kronikë

Florenc Çapja ekstradohet nga Dubai, RENEA blindon aeroportin e Rinasit

Shkruar nga Liberale.al
Florenc Çapja ekstradohet nga Dubai, RENEA blindon aeroportin e Rinasit

Florenc Çapja, një nga personazhet më të kërkuar të botës së krimit në Shqipëri, është ekstraduar nga Dubai dhe ka mbërritur pasditen e sotme në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, nën masa të jashtëzakonshme sigurie. Forcat speciale të RENEA-s blinduan perimetrin e aeroportit, duke garantuar që zbarkimi dhe transferimi i tij të ndodhte pa asnjë incident.

Çapja ishte prej kohësh në kërkim ndërkombëtar për një nga ngjarjet më tronditëse kriminale në vend,  ekzekutimin e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, ngjarje që ndodhi në Elbasan në vitin 2012. Ai akuzohet se ka qenë porositësi dhe organizatori i vrasjes së dyfishtë që u zbulua më vonë përmes një hetimi kompleks nga prokuroria shqiptare.

Pas arrestimit të tij në Dubai, procesi i ekstradimit u shoqërua me sfida të shumta, për shkak të mungesës së një marrëveshjeje zyrtare ekstradimi mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Megjithatë, falë negociatave intensive mes autoriteteve shqiptare dhe atyre emirate, ekstradimi i Çapjas u finalizua me sukses.

Në Rinas, RENEA zbatoi një protokoll të rreptë sigurie, me prezencë të shtuar të forcave të armatosura, mjeteve të blinduara dhe bllokim të pjesërishëm të zonës përreth. Lëvizja e tij nga pista e avionit deri në mjetin e transferimit u bë në kohë rekord, pa u lejuar asnjë kontakt me median apo të pranishmit në zonë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH