Policia e Tiranës ka zbardhur ngjarje e rëndë të ditës së djeshme në Kamëz, ku 27-vjeçarja me inicialet A.S. u hodh nga tarraca e katit të 4-t dhe ghjeti vdekjen në vend.
Autoritetet raportojnë se e reja e ndërmori aktin ekstrem, pasi një person i kishte publikuar një foto intime të saj. Uniformat blu kanë vënë në pranga shtetasin Altin Çoku, 39 vjeç, për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, i cili dyshohet se i ka publikuar foton.
I publikoi një foto intime një 27-vjeçareje, e cila për këtë shkak dyshohet se u vetëhodh nga tarraca e katit të katërt dhe për pasojë humbi jetën, kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, nisur nga dyshimet e krijuara mbi ngjarjen e ndodhur më datë 10.02.2024, në rrugën “Teuta”, ku u vetëhodh nga tarraca e katit të 4-t, një shtetase, e cila si pasojë e dëmtimeve të marra humbi jetën, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit:
– A. Ç., 39 vjeç, për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.
Ky shtetas dyshohet se ka publikuar një foto intime të 27-vjeçares, e cila dyshohet se për këtë shkak është vetëhedhur nga tarraca e katit të 4-t dhe si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.