Detaje të reja janë zbardhur nga atentati mafioz që la 4 persona të vrarë në Dobraç të Shkodrës, pak ditë më parë.
Hamza Lici, 23 vjeç, vëllai i Ilbrahim Licit dhe Arlind Bushati 32 vjeç u vranë me breshëri plumbash teksa udhëtonin me një makinë tip Benz S Class.
Ndërsa çifti i bashkëshortëve Flutura dhe Bashkim Basha humbën jetën pasi makina me të cilën udhëtonte Lici dhe Bushati humbi kontrollin dhe përplasi motoçikletën e çiftit Basha.
Por, policia ka dyshime se në makinën e viktimave ndodhej edhe një person tjetër, i cili shfaqet në disa video amatore, por është larguar nga vendi i ngjarjes. Dyshimet janë se në makinë ndodhej Ibrahim Lici, një nga personat më të kërkuar të drejtësisë shqiptare.
Policia nuk ka arritur ende zyrtarisht që të faktojë që personi i tretë në mjetin luksoz tip Benz S Class me të cilin po udhëtonin viktimat, ishte pikërisht i shumëkërkuari Ibrahim Lici, ndaj kjo mbetet ende në fazën e hetimeve.
Por nga ana tjetër, grupi hetimor ka dyshime të forta që bëhet fjalë pikërisht për Ibrahim Licin, i cili dyshohet se ka mbetur i plagosur në këtë ngjarje.
Forca të shumta policore kanë ushtruar kontrolle në spitale dhe klinika private të Shkodrës, me dyshimin se Lici po merr mjekim, por pa asnjë rezultat deri tani.