Ekonomi

SHIFRA E DITËS/ Opozita dhe qeveria duhet të garojnë për një pagë minimale 5 mijë euro… jo thjesht për 500 euro!

Shkruar nga Aranit Muraçi

SHIFRA E DITËS/ Opozita dhe qeveria duhet të garojnë për

Gara e premtimeve elektorale do t’i bëjë më “të pasur” shqiptarët pavarësisht nëse zgjedhjet e 11 majit do t’i fitojë partia që është në pushtet apo opozita.

Nëse fiton opozita është premtuar që paga minimale të bëhet 500 euro. Nëse PS merr mandatin e katërt radhazi, paga minimale do të jetë nga 1 janari po 500 euro. Por nëse gara e premtimeve mes tyre do të rritej deri në 5 mijë euro, e sigurt në një rast të tillë hipotetik se ajo do të bëhej edhe më interesante për publikun pa formim ekonomik dhe që nuk kujdeset për ‘anën tjetër’ të medaljes.

Përderisa as opozita dhe as qeveria nuk zbulojnë rrugën që do të ndiqet për të realizuar rritjen e pagave, premtimi për një superpagë do të bënte bujë edhe ndërkombëtarisht.
Normalisht për qeverinë, por edhe opozitën kur ishte në pushtet, më tepër se rritja e pagave që e imponon tregu dhe produktiviteti sukses do të ishte mbajtja e inflacionit nën kontroll. Të dhënat tregojnë se në 20 vitet e fundit pagat gati janë dyfishuar ndërsa çmimet e produkteve të shportës bazike janë trefishuar. Kjo do të thotë se edhe klasa e mesme është varfëruar.

Megjithatë gara e rritjes së pagave pa marrë inflacionin në konsideratë vazhdon. Rritja e pagës minimale dhe më tepër se rritja e saj rritja e inflacionit, për të cilën nuk flitet thuajse fare politikisht duke mos i marrë sërish çmimet në konsideratë, me vullnet politik mund të shkojë edhe 10 herë më tepër se ajo aktuale. Supozojmë se paga minimale sipas premtimit të njërës palë do të shkojë 5 mijë euro. Paralelisht për të mundësuar rritjen çmimet e produkteve të shportës bazë do të 10-fishohen. Dhe në këtë rast nëse çmimi i një buke do të shkojë mbi 10 euro, shqiptarët më një pagë minimale 5 mijë euro në muaj do të kenë më shumë para që do tju rëndojnë xhepat. Por sigurisht nuk do të jenë as më pasur dhe nuk do të kenë më tepër fuqi blerëse.

E megjithatë partitë që garojnë prej tri dekadave pa ndonjë program që tju garantojë shqiptarëve rritje reale ekonomike, nuk u mbetet asgjë veçse të garojnë për rritje pagash në terma nominalë. 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se çdo premtim do ta mbajë 100 përqind dhe në tre muajt e parë të qeverisjes së PD do të vendoset minimumi jetik prej 200 eurosh. Ai u shpreh se karta e konsumatorit do të jetë 450 euro. Lideri i opozitës premtoi gjithashtu se rroga minimale në Shqipëri nuk do të jetë më pak se 500 euro në muaj.

Por duket se opozitës ia preu sot “vrullin” qeveria sepse është në pushtet dhe premtimin e rritjes së pagës minimale, nëse fiton një tjetër mandat, mund ta bëjë realitet.
”Paga minimale e kishim 157 euro, kurse sot e kemi 400 euro dhe me vendim siç e kam thënë edhe më parë në qershor do ta bëjmë 500 euro. Nga janari 2026 paga minimale do jetë 500 euro”, - tha këtë të enjte kryeministri Edi Rama.

Pritet të mësohet zyrtarisht pas 11 majit se cila parti do të fitojë zgjedhjet për të mundësuar rritjen e pagës minimale në sektorin publik. Pas kësaj rritja e inflacionit do të jetë e sigurt po aq sa edhe rritja e pabarazive mes sektorit publik dhe atij privat. Ashtu siç do të rritet varësia e të lëkundurve ose e elektoratit gri ndaj politikës për të siguruar një vend pune në administratë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH