Shqipëria sipas një raporti të publikuar kohët e fundit renditet ndër vendet që ka numrin më të lartë të deputetëve në raport me numrin e popullsisë. Në raport me popullsinë rezidente, zgjedhjet e 11 majit do të prodhojnë 58 deputetë për 1 milion banorë.
Raporti zbulon se Gjermania, lokomotiva ekonomike e Evropës, ka vetëm 8.5 deputetë për çdo 1 milion banorë. Franca ka 8.6 deputetë për çdo 1 milion banorë. Në Itali, vendi tjetër i madh industrial europian që ka numrin më të lartë të deputetëve, kjo çështje është shpesh temë diskutimi. Italia ka ngritur shpesh shqetësimin se 10.5 deputetë për një milionë banorë është një kosto e fryrë për ekonominë e saj. Greqia, vendi tjetër fqinj i BE-së me Shqipërinë, numëron 28 deputetë për çdo 1 milion banorë. Nga ana tjetër, buxheti i vitit 2025 ka parashikuar një fond prej 1.9 miliardë lekësh, nga të cilat 1.2 miliardë lekë ose 120 milionë euro janë të dedikuar për veprimtarinë ligjvënëse.
Përse një vend i vogël dhe me një ekonomi të brishtë si Shqipëria mban një Kuvend të fryrë në numra e të ngarkuar në shpenzime, në një kohë kur ligjvënësit thjeshtë si detyrë kryesore kanë ngritjen e kartonit, me urdhër të kryetarit. E thënë ndryshe, pse duhet të paguhen për të ngritur kartonin 71 deputetë të maxhorancës, vetëm e vetëm për të miratuar ligjet e një shumice të thjeshtë, kur kartoni mund të ngrihet po aq bukur edhe nga 41 deputetë, nëse Kuvendi do të reduktohej në vetëm 80 të tillë.
Arben Malaj, ish-ministër i Financave në qeverisjen e parë të PS-së, teksa ka analizuar çështjen mes të tjerave thotë se, “Shqipëria ka nevojë më shumë se çdo vend tjetër për një reformë kushtetuese. Kjo për të kaluar në një sistem mazhoritar që redukton deficitin demokratik. Sepse zgjeron të drejtën e zgjedhjes së përfaqësuesve/deputetëve nga zgjedhësit.’
Më tej Malaj shton se “deficiti demokratik u dëmtua rëndë nga marrëveshja Rama-Berisha që ndryshoi sistemin politik në vitin 2008. Kjo marrëveshje “vrau” demokracinë e brendshme në partitë politike, “vrau” deputetë jo manikinë në mandatet partiake dhe politike. Duke i bërë manikinet politike një sëmundje të shumë përhapur në realitetin shoqëror dhe politik shqiptar.”
A ka zgjidhje dhe cila mund të jetë ajo?
Është ky përshkrimi dhe propozimi i ish-ministrit dhe deputetit socialist Arben Malaj, mbi numrin e deputetëve që duhet të ketë Shqipëria:
"Manikinet politike fatkeqësisht sundojnë jetën shoqërore dhe politike të vendit tonë dhe të përkeqësimit të demokracisë së brendshme të partive politike dhe të keq-qeverisjes së vendit. Në këtë komunitet manikinësh bëjnë pjesë kryetarët dhe anëtarët e kryesisë së partive në nivel vendor dhe qendror, të mandatuar, si deputetë, ministra dhe të mandatuarit partiakë në institucione të rëndësishme politike ku përcaktohet modeli drejtues i partive politike dhe modeli qeverisës në nivel vendor dhe qendror.
Ata shfaqen edhe ne Institucionet rregullatore të mbikëqyrjes, si dhe në kompanitë publike, të cilat janë të mandatuara nga parlamenti dhe ose nga ministra "verbërisht besnikë" ndaj kryeministrave/liderëve partiakë.
Në bazë të të dhënave krahasuese, Shqipëria duhet të ketë jo më shumë se 80 deputetë, ndërsa sipas raportimeve për çdo 1 milion banorë në Francë, Gjermani dhe Itali, Shqipëria duhet të ketë përkatësisht rreth 25, 25, 32 dhe 80 deputetë.
Kostoja për orë, ditë, muaj dhe vit për çdo deputet është përkatësisht 9.6 euro në orë; 230 euro në ditë kalendarike; 7.000 euro në muaj dhe 84.000 euro në vit.
Kursimi vjetor vetëm nga ulja e numrit prej 60 deputetësh është 5 milionë euro në vit.
Kjo mund të përmirësojë përfaqësimin me integritet të deputetëve sepse numri i deputetëve do të reduktohet me 60, shumica e të cilëve jetojnë ose promovohen vetëm si manekinë të kryetarëve të partive.
Besnikëria "manikinë/bedel" ishte fatkeqësisht kriteri përcaktues për përzgjedhjen edhe të deputetëve në 2025. Shumë fatkeqësisht e kanë keq përdorur jo vetëm partitë tradicionale por edhe nga partitë e reja.
Aishtajni theksonte se është budallallëk të shpresosh rezultate të ndryshme nga mentalitete të njëjta.
Ky reduktim numerik i deputetëve do të ulte ndjeshëm buxhetin vjetor të Kuvendit me rreth 5 milionë në vit. Pra, ulja me 60 deputetë ul koston e rëndë për taksapaguesit e varfër të një parlamenti me integritet publik të cunguar.
Deputetët që thjesht noterizojnë pushtetin absolut të kryeministrave/qeverive, të korruptuar dhe të kapur nga liderët e partive oligarkike, duhet të reduktohen në numër dhe influencë politik-bërëse. Pra, të pakësohen.
Fuqia e vërtetë abuzive dhe “deformuese e integritetit” e drejtuesve të partive ndaj anëtarëve të partive të tyre vjen nga pushteti abuziv i përcaktimit të listës së deputetëve, ministrave dhe çdo mandati tjetër politik.
Ulja e numrit të deputetëve nuk rrit deficitin demokratik, nuk i largon deputetët nga votuesit sepse :
E para, distanca dhe koha për të takuar votuesit është shkurtuar ndjeshëm;
E dyta, mundësitë për kontakte më të shpeshta dhe me kosto shumë më të ulët ndërmjet zyrtarëve të zgjedhur dhe votuesve janë rritur ndjeshëm;
E treta, është përmirësuar gjithashtu mundësia për votuesit, grupet e interesit, dhe të rinjtë.
Jo vetëm partitë kryesore, por asnjë nga partitë e reja nuk bëri një studim dhe nuk përfshiu në programin e tyre, reformën kushtetuese që përfshin sistemin e pedagogëve dhe uljen e ndjeshme të numrit të deputetëve dhe numrit të drejtuesve dhe anëtarëve të kritereve, rregullatore dhe mbikëqyrëse."