Vendimi i zgjerimit të BE-së pritet të jetë gjeopolitik veç faktit që vendet anëtare duhet ta meritojnë, por sidoqoftë Shqipëria është në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në BE. Të paktën tani. Ose më saktë nuk ka qenë asnjëherë më pranë BE se sa sot. Samiti i Bashkimit Europian i mbajtur në Tiranë pak ditë më parë ishte një provë e qartë e afrimit, ndërkohë shumë zyrtarë të BE shprehen se Shqipëria duhet të anëtarësohet para vitit 2030.
Më 22 maj u mbajt takimi i pestë i Konferencës së Anëtarësimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Shqipëria hapi grupin grupkapitujt 3: Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse, e cila përmban tetë kapituj negociues. Me gjithsej 24 nga 33 kapituj të hapur, Shqipëria ka kaluar Serbinë, e cila ka hapur 22 kapituj.
Mali i Zi mbetet kryesuesi në procesin e pranimit në BE, pasi ka hapur të 33 kapitujt e negociatave dhe ka mbyllur përkohësisht gjashtë.
Që kur hapi grupkapitullin e parë në tetor të vitit të kaluar, Shqipëria sipas vlerësimeve të BE-së ka ecur shumë shpejt, duke hapur negociatat për tre grupime shtesë në tetë muajt e fundit.
Gjatë hapjes së muajit të kaluar të grupkaapitujve 2, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi se objektiv i Shqipëriaë ishte hapja dhe mbyllja e të gjithë kapitujve negociues deri në vitin 2027.
Në konferencën e djeshme për anëtarësim, delegacioni i BE-së u kryesua nga Ambasadorja Agnieszka Bartol, Përfaqësuese e Përhershme e Polonisë në BE, në emër të Presidencës polake të Këshillit të BE-së, me pjesëmarrjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Komisionit Gert Jan Koopman. Delegacioni shqiptar kryesohej nga z. Igli Hasani, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.
Marta Kos, Komisioni Evropian për Zgjerimin, uroi Shqipërinë me një postim në X, duke shkruar se hapja e grupkapitujve 3 “do të thotë një ekonomi më e fortë shqiptare në të mirë të qytetarëve tuaj dhe një hap tjetër më afër BE-së”.