Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Prof. Asoc. Dr. Selami thotë se shtresa e mesme në Shqipëri është gërryer nga politikat e forta të taksimit në vend.
Eksperti dhe pedagogu i Ekonomisë, Selami Xhepa u shpreh se e gjithë kjo kategori e popullsisë i nënshtrohet normave tatimore mjat të larta, e për pasojë, thotë ai, gjithë barra e përmirësimit fiskal, pra rritjes së të ardhurave dhe tatimeve përgjithësisht përballohet nga kjo shtresë shoqërore.
“Gjë që do të thotë se është holluar aq shumë kjo kategori shoqërore (shtresa e mesme) duke e ndarë shoqërinë në dy grupe të vetme: ata që janë me të ardhura shumë të larta dhe ata që kanë të ardhura të pakta”, u shpreh ndër të tjera eksperti Selami Xhepa në një intervistë për “Ora News” .
Sa i përket politikave të Bankës së Shqipërisë për masat shtrënguese të dhënies së kredive, Xhepa theksoi se kjo nuk vjen nga mungesa e likuiditetit.
“Problemi është se i gjithë stoku i kredisë në vitet e fundit është udhëhequr nga rritja e kërkesës për kredi që vjen nga tregu i banesave dhe i pasurive të paluajtshme.
Dhe kjo është provuar në historinë e tyre financiare, që tregu i pasurive të paluajtshme është i luhatshëm, ku vlera e këtyre aseteve mund të pësojë rritje përtej asaj që është racionale dhe çmimet e këtyre aseteve duke fryrë vlerën e kolateralit shtyn në rritje edhe më të madhe të kredisë dhe siç është provuar më parë këto lloj flluskash që krijohen në segmente të caktuara të tregjeve siç është ai i pasurive të paluajtshme, mund të provojë rreziqe të shtuara për stabilitetin financiar bankar. Ndaj këto masa duhej të ishin marrë më herët”, theksoi Selami Xhepa.