Të dhënat e fundit nga INSTAT zbulojnë se ndërmarrjet në industri dominojnë eksportet tonë, ndonëse një pjesë e mirë e tyre janë kompani të huaja, si Kurum, apo të tjera kompani që shfrytëzojnë burimet tona minerare. Po ashtu edhe fasoneritë, kryesisht kompanitë italiane, shfrytëzojnë krahun e lirë të punës si dhe përfitojnë nga sistemi më i ulët i taksave, apo edhe i lëndëve të para. Ato prodhojnë në Shqipëri, për të shitur më pas produktet në Itali apo në vende të tjera perëndimore.
MUngesa e fuqisë punëtore ka dhënë efekt negativ në prodhim dhe që reflektohet në eksporte. Për vitin e kaluar eksportet drejt Italisë, partneri kryesor dhe më i rëndësishëm tregtar i Shqipërisë, kanë pësuar një rënie të ndjeshme me 14 për qind. Kjo rënie nuk është reflektuar në rritjen e volumit të eksporteve me vende të tjera partnere dhe as në rritjen e nevojave për konsum vendas. Përkundrazi, nga nevojat për konsum për vitin që lamë pas janë rritur importet.
Në vitin 2024, ndërmarrjet që operojnë në industri dominojnë ndërmarrjet tona eksportuese. Këto ndërmarrje kryejnë 77 % të vlerës së eksporteve, duke u ulur me 19,3 %, krahasuar me vitin 2023. Ndërmarrjet që operojnë në tregti dominojnë ndërmarrjet importuese në vitin 2024. Këto ndërmarrje kryejnë 62 % të vlerë së importeve, duke u rritur me 6,6 %, krahasuar me 2023.
Gjatë periudhës 2020-2024, vendet partnere në shkëmbimet tregtare mbeten: Italia, Kosova, Greqia, Gjermania, Kina, Turqia, SHBA, etj. Në vitin 2024 partneri ynë kryesor për eksportet dhe importet vazhdon të jetë Italia. Vlera e eksporteve drejt Italisë është 163 miliard lekë, duke u ulur 13,9 %, krahasuar me vitin 2023. Ndërsa vlera e importeve nga Italia është189 miliard lekë, duke u ulur 2,3 %, krahasuar me vitin 2023.
Për vitin 2024, më shumë se gjysmën e eksporteve e kryejnë 50 ndërmarrjet më të mëdha (55 %), ndërsa më shumë se gjysmën e importeve e kryejnë 100 ndërmarrjet më të mëdha (53 %).
Në vitin 2024, dominojnë ndërmarrjet që eksportojnë drejt 1 vendi partner. Ato kryejnë 29 %, të vlerës së eksporteve, ndjekur nga ndërmarrjet që eksportojnë drejt 3-5 vende partnere (25 %). Këto janë ndërrmarrjet italiane të fasonerive, ku thjesht për prodhimin e produkteve i kanë zhvendosur fabrikat në vendin tonë dhe regjistrohen si “prodhim shqiptar”.
Në vitin 2024, dominojnë ndërmarrjet që importojnë nga 10 ose më shumë vende partnere. Këto ndërmarrje kryejnë 58 % vlerës së importeve, ndjekur nga ndërmarrjet që importojnë nga 3-5 vende partnere (14 %). Numri i ndërmarrjeve eksportuese, në vitin 2024, është 3.784, duke u ulur me 0,2 %, krahasuar me vitin 2023. Në vitin 2024, pesha e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, është 97 %.
Pesha e ndërmarrjeve mikro është 50 %, e ndërmarrjeve të vogla është 34 %, ndërmarrjeve të mesme është 14 % dhe ndërmarrjeve të mëdha është 3 %. Në vitin 2024, numri i ndërmarrjeve importuese është 14.734 ndërmarrje, duke u rritur me 7,9 %, krahasuar me vitin 2023. Pesha e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme është 99 % të ndërmarrjeve importuese gjithsej. Pesha e ndërmarrjeve mikro është 69 %, ndërmarrjeve të vogla është 23 %, ndërmarrjeve të mesme është 7 % dhe ndërmarrjeve të mëdha është 1 %. /Liberale.al/