Globi

Atentat ndaj presidentit? Shpërthen në flakë limuzina e Putinit

Shkruar nga Liberale
Atentat ndaj presidentit? Shpërthen në flakë limuzina e Putinit

Një limuzinë Aurus, që besohet të jetë pjesë e flotës zyrtare të makinave të Vladimir Putinit, shpërtheu dhe mori flakë në një rrugë të Moskës pranë selisë së shërbimit sekret FSB. Pamjet e incidentit tregojnë se makina Aurus u përfshi nga flakët me shpëjtësi, ndërsa zjarri nisi fillimisht në motor.

Automjeti thuhet se i përkiste Departamentit të Menaxhimit të Pronës Presidenciale të Kremlinit, por mbetet e paqartë se kush ishte brenda saj ose çfarë e shkaktoi zjarrin e papritur në rrugën Sretenka. Nuk raportohet për të lënduar apo viktima, raporton Daily Express.

Disa persona në mediat sociale, megjithatë, thanë se limuzina nuk ishte në mesin e makinave të flotës së Putinit.

Presidenti 72-vjeçar rus shpesh përdor automjete Aurus të prodhuara nga Rusia dhe ua ka dhuruar ato liderëve të huaj, përfshirë Kim Jong-un të Koresë së Veriut.

Incidenti ka të ngjarë të rrisë shqetësimet e Kremlinit për komplot. Në fillim të këtij viti, Kremlini paralajmëroi se çdo përpjekje për të vrarë Putinin do të shkaktonte një përgjigje bërthamore. Kryetari i parlamentit rus Vyacheslav Volodin i quajti diskutime të tilla një “kërcënim serioz për sigurinë globale”.

Shefi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës, Kyrylo Budanov, ka pretenduar se janë bërë përpjekje të shumta për vrasje ndaj Putinit.

Shpërthimi pason një seri vdekjesh ushtarake ruse të profilit të lartë, duke nxitur paranojën e Kremlinit. Në dhjetor, gjenerali Igor Kirillov, i akuzuar për mbikëqyrjen e luftës kimike në Ukrainë, u vra në një shpërthim në Moskë.

Poll
SHQIPENGLISH