Ekonomi

Do t’ju falen gjobat e kamatëvonesat, çfarë është PAQJA që Rama kërkon të bëjë me bizneset

Shkruar nga Liberale

Do t’ju falen gjobat e kamatëvonesat, çfarë

Në fund të vitit 2024, detyrimet tatimore të papaguara kanë arritur në rreth 1.62 miliardë euro, ose 4.7% më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë.

38% e borxhit tatimor janë penalitete dhe kamatëvonesa. Pjesa e mëdha e borxhit tatimor është e vjetër. Borxhi mbi 5 vjet llogaritet në rreth 1 miliard euro.

Në stokun e detyrimeve të papaguara në afat të TVSH zë peshën më të madhe në stokun e borxhit me 35% në vlerë 57.17 miliardë lekë, e ndjekur nga Tatim Fitimi me 29% ose 47.18 miliardë lekë, Sigurimet Shoqërore & Shëndetësore me 15% ose 24.4 miliardë lekë të pambledhura, Të Tjera me 15% etj.

Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me bizneset, gjatë turit të fushatave prezantoi këtë javë ‘Paqen Fiskale”. Sipas Ramës, kjo paketë e veçantë i jep bizneseve mundësinë për të mbyllur çështjet e së kaluarës dhe për të pasur një marrëdhënie të re, më të drejtë dhe më të parashikueshme me shtetin.

“Tatim fitim për kompanitë e kemi vendosur 15% dhe nuk do ta prekim, por në akseptin e administrimit e dimë që kemi të meta dhe boshllëqe, ashtu siç e dimë që kemi hapësirë të pashkelur për të rritur të ardhurat për shtetin. Ne nuk duam të synojmë rritjen e të ardhurave duke ushtruar presion mbi sipërmarrjen, ndaj kemi menduar një plan që bazohet në një princip, plan paqeje fiskale. T’i japë sipërmarrjes më shumë dëgjim dhe mirëkuptim, kjo është detyra”, tha Rama.

Krahasuar me fundin e vitit 2023, gjatë këtij viti, rritja më e madhe e borxhit tatimor u shënua sa i përket tatim fitimit, me 2.38 miliardë lekë, ndjekur nga TVSH me 1.9 miliardë lekë dhe Sigurimet Shoqërore e Shëndetësore me 1.89 miliardë lekë. Ndërsa, zërat e tjerë tatimore shënuan një rritje më të vogël.

Gjithashtu, vihet re se pjesa më e madhe e borxheve që bizneset i kanë tatimeve i referohet atyre tatimpaguesve që janë me status pasiv. Kjo do të thotë se një pjesë e konsiderueshme e këtyre borxheve janë të parikuperueshme. Ato nuk janë fshirë prej vitesh nga regjistrat tatimore, për shkak se nuk është ndërmarrë një aministi fiskale.

Paketa është hartuar nga Ministria e Sipërmarrjes dhe përbëhet nga tre elementë kryesorë që lidhen me tatimin mbi fitimin, rishikimin e pasqyrave financiare dhe faljen e detyrimeve të prapambetura, apo kamatëvonesave.

Sipas projektit, bizneseve do t’u propozohet një marrëveshje që për 3 vite të paguajnë 15 për qind tatim fitim mbi bazën e historikut të bilanceve. Ata që firmosin këtë marrëveshje do të përjashtohen nga çdo kontroll tatimor.

Së dyti, paketa parashikon që bizneset të kenë mundësinë të rishikojnë bilancet e tyre financiare për një afat kohor prej 5 vitesh. Në rastet kur bilanci i rishikuar ka diferencë pozitive, atëherë fitimit tatohet me 5 për qind shtesë.

Elementi i tretë lidhet me detyrimet, gjobat dhe kamatëvonesat. Propozimi i paketës së paqes sociale ngre një skemë të ngjashme me atë që u paguan faturat e prapambetura të energjisë elektrike. Paketa propozon fshirjen e borxheve dhe kamatëvonesave më të vjetra se 10 vite, heqjen e kamatëvonesave dhe interesave për detyrimet 5 deri në 10 vite dhe faljen e kamatëvonesave për borxhet 1 deri në 5 vite.

Liberale Newsroom

Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH