Shqipëria shënoi një përmirësim të indeksit vjetor për lirinë e shtypit, sipas raportit të fundit të organizatës Reporterët pa Kufij.
Shqipëria renditet në vendin e 80-të nga 180 shtete të marra në analizë, duke u përmirësuar me 19 vende nga viti 2024. Megjithatë, raporti i RSF thekson se ndër sfidat kryesore që lidhet me problemet me medien në Shqipëri është konflikti i interesit dhe pavarësia ekonomike.
“Në Shqipëri, liria e shtypit dhe pavarësia e medies kërcënohen nga konfliktet e interesit midis botës së biznesit dhe asaj politike. Gazetarët janë viktima të akteve të frikësimit nga politikanët dhe krimi i organizuar”, thuhet në raport.
Në rajonin e Ballkanit, Mali i Zi renditet në vendin e 37-të, pastaj Maqedonia e Veriut në vendin e 42-të, Bosnje e Hercegovina e 86-ta, Greqia e 89-ta dhe Serbia e 96-ta.
Edhe Kosova ka shënuar rënie në indeksin vjetor të lirisë mediatike, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Raporti i Reporterëve pa Kufij për 2025 thekson se “një ndër faktorët kyç që po e dobëson medien është presioni ekonomik, i lidhur ngushtë me përqendrimin e pronësisë, varësinë nga reklamuesit dhe mungesën e mbështetjes publike transparente”.
Sipas RSF-së, pa pavarësi ekonomike nuk mund të ketë shtyp të lirë, pasi mungesa e qëndrueshmërisë financiare i ekspozon mediet ndaj ndikimeve politike dhe interesave të ngushta të biznesit.