Në kuadër të marrëveshjes me Institutin e Shëndetit Publik, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor në Lezhë ka shtuar masat për dezinsektimin e zonave me prani të larvave të mushkonjave, duke hyrë tashmë në fazën e katërt të këtij procesi.
Sipas autoriteteve lokale, gjatë kësaj faze janë trajtuar 16.5 hektarë me ujë të përhershëm dhe të përkohshëm – si kanale, pellgje, laguna, parqe – si dhe rreth 4500 m² puseta dhe bodrume në qytetin e Lezhës dhe Shëngjinit. Këto ndërhyrje kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së mushkonjave, të cilat përbëjnë rrezik për shëndetin publik, veçanërisht gjatë muajve të ngrohtë.
Drejtori i NJVKSh Lezhë, Elson Frroku, tha se kjo fushatë është një masë e rëndësishme për të garantuar një mjedis të shëndetshëm dhe pa mushkonja për qytetarët.
“Procesi i dezinsektimit po zhvillohet çdo 14 ditë dhe do të zgjasë deri në tetor. Deri tani janë kryer disa ndërhyrje të suksesshme që kanë ndihmuar në uljen e densitetit të mushkonjave,” theksoi ai.
Fushata ka nisur në muajin prill dhe përfshin 12 ndërhyrje periodike, të bazuara në monitorimin entomologjik të larvave në zonat me rrezik.