Agim Deda, vëllai i Hekuran Dedës që u vra në 21 Janar është paraqitur në SPAK këtë të mërkurë.
Një ditë më parë në Spak u paraqit vëllai i tij, Zabit Deda.
Për afro 2 orë është marrë në pyetje Zabit Deda ditën e djeshme.
Pasi doli nga ambientet e SPAK, Zabit Deda tha se ka besim në zbardhjen e këtij krimi nga Prokuroria e Posaçme.
“Ato që na kërkuan i thamë. Shpresojmë se do zbardhet”, tha Zabit Deda.
Ndërkohë në kuadër të kësaj dosjeje, pritet që në ditët në vijim të merren në pyetje edhe ish-gardistët si dhe ish-kreu i Gardës Ndrea Prendi apo dhe përgjegjësi i njësisë speciale në atë kohë Agim Llupo.
Një nga provat që SPAK ka në duar është edhe audio e komunikimeve të brendshme ku dëgjohet urdhri për të hapur zjarr.
Kjo audio është dorëzuar nga familjarët e viktimave të 21 janarit, të cilët prej vitesh janë ende në pritje të zbardhjes së ngjarjes dhe vendosjes përpara ligjit të personave që urdhëruan që të hapet zjarr ndaj qytetarëve.
Familjarët kanë ngritur akuza për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ish-ministrin e Brendshëm në atë kohë Lulzim Basha. Fillimisht kjo dosje ishte nën hetim nga Prokuroria e Tiranës, por pas vendimit të Gjykatës së Strasburgut, e cila urdhëroi që ky krim shtetëror të hetohet, dosja i kaloi për kompetencë SPAK-ut.