Televizioni ndërkombëtar “France24” i ka kushtuar vëmendje të veçantë fitores së kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke e cilësuar si një “fitore të madhe”.
Sipas rezultateve zyrtare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, PS fitoi 52.1% të votave, duke lënë pas opozitën e udhëhequr nga Sali Berisha me 34.2%. Edhe pse votat e diasporës nuk janë numëruar ende, Rama rezulton në avantazh edhe atje.
France24 thekson se Partia Socialiste pritet të fitojë më shumë mandate se në vitin 2021, kur siguroi 74 vende në Kuvendin me 140 deputetë.
Zgjedhjet u shënuan nga një garë e fortë midis Ramës dhe Berishës, ku fokusi i fushatës ishte integrimi evropian, zhvillimi ekonomik dhe lufta kundër korrupsionit.
Ndërsa Rama përqendroi mesazhin e tij tek e ardhmja evropiane e Shqipërisë, Berisha akuzoi PS-në për manipulim të votës dhe presion ndaj votuesve, duke mos e njohur rezultatin dhe duke paralajmëruar një protestë në ditën kur Tirana pret liderët europianë për Samitin e Komunitetit Politik Evropian.
Zgjedhjet janë ndjekur me interes nga Bashkimi Evropian dhe u konsideruan një test për standardet demokratike të Shqipërisë. Vëzhguesit evropianë vlerësuan procesin si të qetë dhe të organizuar, pavarësisht disa mangësive.
Ndërkohë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, dhe liderë të tjerë evropianë e kanë uruar Ramën për fitoren, duke e përshkruar atë si një partner të rëndësishëm në rajon.