Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, zhvilloi ditën e sotme një takim me studentët dhe stafin akademik të Fakultetit Juridik në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, në Durrës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Dumani u shpreh se ishte kënaqësi të ndodhej mes studentëve të drejtësisë dhe vlerësoi larminë e temave të trajtuara në këtë ambient akademik. Ai theksoi se pjesëmarrja e tij në këtë aktivitet vjen në kuadër të një sërë takimesh të ngjashme të zhvilluara edhe në universitete të tjera në vend, me qëllim forcimin e komunikimit ndërinstitucional.
“Besimi dhe drejtësia janë elementë thelbësorë. Pa drejtësi nuk mund të ketë paqe, dhe pa llogaridhënie nuk mund të ketë demokraci,” u shpreh Dumani gjatë fjalimit të tij.
Ai rikujtoi rëndësinë e reformës në drejtësi, e cila u arrit përmes ndryshimeve kushtetuese thelbësore, duke nënvizuar rolin që ka SPAK si një nga produktet më të rëndësishme të kësaj reforme.
“Reforma në drejtësi u realizua me ndryshimet thelbësore kushtetuese. SPAK është krijuar për të goditur fenomenet që dëmtojnë shtetin. Ne kemi treguar se ushtrojmë të drejtën ndaj çdo subjekti, pavarësisht lidhjeve me botën e krimit të organizuar apo me objekte të caktuara,” deklaroi ai.
Dumani theksoi gjithashtu se, pavarësisht arritjeve, mbetet ende shumë punë për të çrrënjosur krimin e organizuar në vend.
“Jemi të vetëdijshëm që ka shumë punë ende për të çrrënjosur krimin e organizuar. Dëshiroj të theksoj se përpjekjet për ndërtimin e një sistemi drejtësie të paanshëm nuk mund të jenë të njëanshme pa ndihmën e shumë institucioneve në bashkëpunim”, u shpreh Dumani.