Rreth 100 forca të policisë dhe RENEA kanë zbarkuar sot në Vlorë. Kjo pasi i ati i Gëzim Sinomatit, 22-vjeçarit që u vra dy netë më parë, Sokol Sinomati ka mbërritur nën masa të forta të sigurisë në Vlorë.
Sokol Sinomati ka marrë leje të posaçme nga burgu për të qenë i pranishëm në ceremoninë mortore të të birit.
Gëzim Sinomati u ekzekutua mbrëmjen e 7 Janarit me snajper teksa doli në ballkonin e shtëpisë dhe sot do të përcillet në banesën e fundit
Ngjarja e rëndë tronditi Vlorën mbrëmjen e së dielës, ku i riu dyshohet se u qëllua me snajper nga një automjet në lëvizje. Makina tip “BMW” e përdorur nga autorët e krimit, u gjet e djegur nga policia, pak kohë më vonë.
Ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, sipas policisë, autori dyshohet të jetë vrasës me pagesë. Në automjetin e djegur është gjetur edhe një bllok betoni, që mendohet se është përdorur nga autori për të mbajtur ekuilibrin e armës.