Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social “X”, lidhur me hetimin e SPAK për abuzimet me fondet në Universitetin Bujqësor të Kamzës.
Kreu i qeverisë njofton se ditën e nesërme do të mbledhë grupin parlamentar të PS, ku do të jetë i pranishëm edhe rektori i Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku. Sipas Ramës, rektori, i cili nuk është i përfshirë në hetimet e Prokurorisë, kërkon të dëgjohet publikisht në lidhje me lëshimin e 24 masave të sigurisë pa gjyq nga ana e Prokurorisë së Posaçme, por dhe për arritjet e universitetit që drejton.
“Nesër në 09:00, Grupi Parlamentar i shumicës qeverisëse do të dëgjojë, me kërkesën e tij, Rektorin e Universitetit Bujqësor, Fatbardh Sallaku, lidhur me 24 masa sigurie PA GJYQ për stafin dhe pedagogët e universitetit për disa procedura të disa viteve më parë. Vetë rektori, i cili nuk rezulton i lidhur me këtë hetim, flet për një keqkuptim shumë të madh dhe kërkon të dëgjohet publikisht, në një moment historik kthese për Universitetin Bujqësor, që ka hyrë në rrugën e transformimit me synim njëhsimin e plotë të diplomave me Universitetin BOKU të Vienës në Shqipërinë 2030,” shkruan Rama në “X”.
Ditën e sotme mbi 20 masa sigurie janë lëshuar me kërkesë të SPAK këtë të martë për abuzime me tenderë në Universitetin Bujqësor.