
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja që u regjistrua këtë të hënë në Zhejë të Laçit, ku u vra me armë zjarri 67-vjeçari Dod Mamli.
Bëhet me dije se drejt Mamlit është qëlluar me një armë zjarri pistoletë, ndërsa në trupin e tij janë konstatuar tre plumba, njëri prej të cilëve e ka prekur në kokë dhe dy të tjerët në gjoks.
Nuk dihen ende shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes, sakaq dy janë pistat ku po heton policia, ajo e konfliktit të pronës dhe e hasmërisë. Pista e parë lidhet me faktin se viktima është gjetur i pajetë nga një banor i zonës në një tokë që po hapej pak metra larg banesës së tij. Ndërsa pista e dytë lidhet me faktin se në shtator të vitit 2015 djali i viktimës Enrik (Elton) Mamli, ka vrarë Naim Tafën në Mamurras. Rasti vijon të jetë në sitën e hetimeve dhe këto pista hetimi janë paraprake.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka ngritur pika kontrolli për kapjen e autorëve të cilët ndodhen aktualisht në arrati. Ndërkohë vijojnë gjithashtu hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.